Rreth 16.000 qytetarë marrin pagë bazë së bashku me shtesat deri në 23.000 denarë, sipas të dhënave për 11 muajt e vitit 2025 (deri në muajin nëntor), bëri të ditur drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova, në një intervistë për emisionin “Top Tema” në TV Telma.
“Për pagat e paguara gjatë 11 muajve të vitit 2025, pra paga bazë së bashku me shtesat, deri në shumën prej 23.000 denarësh në muaj mesatarisht i marrin rreth 16.000 persona. Në pragun nga 23.000 deri në 45.000 denarë, që është edhe grupi më i madh, ka rreth 365.000 persona që marrin pagë mujore mesatare në këtë nivel. Pagë nga 45.000 deri në 61.000 denarë marrin rreth 82.000 persona, ndërsa mbi 1.000 euro, përkatësisht mbi 61.000 denarë pagë mujore, marrin rreth 56.000 persona”, deklaroi Petrova.



