Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka publikuar strategjinë për gjashtë vitet e ardhshme, me të cilën njoftohet për reforma të gjera në sistemin arsimor në Maqedoni, raporton Dojçe Vele (DW). Risitë kryesore përfshijnë prezantimin e një viti arsimi parashkollor të detyrueshëm, një maturë shtetërore të ridizajnuar plotësisht me programe të reja për provimet dhe vlerësim të standardizuar, si dhe ndryshime të rëndësishme në arsimin e lartë, si një sistem të centralizuar digjital të regjistrimit dhe prezantimi i studimeve të shkurtra profesionale, transmeton Portalb.mk.
Demografia: sfida më e madhe për sistemin arsimor
Ndryshimet demografike janë ndër nxitësit më të fortë të strategjisë së re. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, fëmijët nën 14 vjet përbëjnë vetëm 16,9% të popullsisë, gjë që e pozicionon vendin në grupin e vendeve me një popullsi me plakje të theksuar dhe rënie të popullatës së re në Маqedoni.
Që nga viti 2000 numri i nxënësve në arsimin fillor është ulur për 28%, ndërsa numri i mësuesve është rritur për 46%. Sipas MASH kjo ka çuar në një raport prej 11,4 nxënës për mësues, që është më i ulët se mesatarja evropiane.
Strategjia për arsimin 2026–2032 propozon një racionalizim të shkollave përmes planifikimit më të mirë të burimeve, uljes së shpenzimeve për objekte të paqëndrueshme, investimeve në shkolla me potencial real për rritje dhe zhvillim në qendra moderne rajonale arsimore.
Një vit arsim parashkollor i detyrueshëm
Kjo është një nga reformat më të rëndësishme. Matjet përmes mjetit kombëtar të cilësisë në arsimin parashkollor tregojnë se 70% e fëmijëve të moshës nga 3 deri në 6 vjet nuk janë të përgatitur për në shkollë, gjë që është një alarm për pabarazi strukturore.
Viti i detyrueshëm i arsimit parashkollor synon ta zvogëlojë hendekun midis fëmijëve nga prejardhje të ndryshme shoqërore, të ofrojë përgatitje universale dhe të standardizuar, ta rrisë cilësinë e institucioneve parashkollore dhe ta rrisë përfshirjen e grupeve të cenueshme.
Sa i përket arsimit fillor, parashikohet një kalim në proces mësimor në një turn, për të cilin duhen bërë ndryshime serioze sistemike: siç janë rikonstruimi dhe zgjerimi i objekteve shkollore, përmirësimi i efikasitetit energjetik, krijimi i shkollave të qasshme dhe gjithëpërfshirëse dhe ridizajnimi i dinamikës së përditshme të shkollave. Strategjia parashikon integrimin e inteligjencës artificiale, kompetencave të gjelbra dhe aftësive sipërmarrëse.
Praktika mësimore duhet të transformohet përmes modeleve të të mësuarit interaktiv, të individualizuar dhe praktik.
Ekipe për këshillim për karrierë
Sipas MASH rregullorja nga viti 1996 është e vjetruar dhe nuk pasqyron nevojat bashkëkohore të nxënësve dhe tregut të punës. Prandaj, Ministria është e mendimit se Ligji i ri do të sjellë standarde të qarta cilësie, një strukturë të modernizuar të programeve të shkollës së mesme të përgjithshme dhe profesionale, si dhe transparencë dhe llogaridhënie më të lartë.
Arsimi dual ka një vend qendror, e që i përfshin kompanitë në procesin mësimor, ofron mësim praktik dhe i përgatit nxënësit drejtpërdrejt për tregun e punës. Në të gjitha shkollat e mesme do të krijohen ekipe për këshillim për karrierën, të cilat do t’i udhëzojnë nxënësit në zgjedhjen e një profili arsimor, fakulteti ose profesioni.
Koncept i ri i provimit të maturës
Bazuar në Konceptin e miratuar në vitin 2025 parashikohen kurrikula dhe programe të reja për provimin për maturën shtetërore dhe maturën shtetërore të degëve të artit.
Do të vendosen kritere të standardizuara vlerësimi për të siguruar transparencë dhe vlerësim të drejtë, veçanërisht për maturën shtetërore. Planifikohet një përmirësim i ndjeshëm i infrastrukturës digjitale me pajisjen e shkollave me klasa smart, sigurim i internetit me shpejtësi të lartë dhe mjete moderne digjitale. Përveç kësaj, parashikohet një kalim drejt një organizimi me një turn të vetëm të procesit mësimor, me qëllim përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe racionalizimin e burimeve.
Arsimi i lartë: sistem qendror për regjistrim, studime të shkurtra dhe monitorim i studentëve
Planifikohet vendosja e një sistemi qendror digjital për regjistrim në të gjitha universitete shtetërore (Common Admission System). Ky sistem i ri do të mundësojë një mënyrë të vetme aplikimi në të gjitha universitetet shtetërore, ndarje të drejtë dhe transparente të vendeve dhe një ulje të barrës administrative për studentët.
Një risi e rëndësishme është prezantimi i studimeve të shkurtra prej një deri në dy vite që do të jenë një urë lidhëse midis arsimit të mesëm dhe tregut të punës ose studimeve universitare, si dhe monitorimi i të diplomuarve (Tracer study). Parashikohet edhe prezantimi i një sistemi për monitorimin e rregullt të rrugëtimit të studentëve pas përfundimit të studimeve të tyre me qëllim matjen e punësueshmërisë së tyre.
Strategjia gjithashtu prezanton masa edhe për mbështetje psikosociale, parandalimin e dhunës dhe programe për mirëqenie dhe zhvillim.



