Gruaja e kryeministrit Hristijan Mickoski, Rozi Mickoska, mori pjesë në samitin dyditor “Fostering the Future Together Global Coalition Summit” në Uashington, i organizuar nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ku morën pjesë përfaqësues nga 45 shtete dhe mbi 20 kompani teknologjike, përcjell TV21. Qëllimi i samitit është të forcojë bashkëpunimin global për përmirësimin e arsimit, teknologjisë dhe mirëqenies së fëmijëve në epokën digjitale.

Nga Qeveria thonë se gjatë samitit, Mickoska mbajti një fjalim në sesionin e punës me temë “Siguria dhe mbrojtja online”. Sipas qeverisë, në fjalimin e saj, Rozi Mickoska theksoi se në Maqedoni besojmë se aftësitë digjitale duhet të fillojnë më herët në procesin arsimor.
“Qëllimi ynë është që të rinjtë, jo vetëm të përdorin teknologjinë, por ta kuptojnë, të mendojnë në mënyrë kritike për të dhe ta përdorin për të zgjidhur problemet e jetës reale. Një hap kyç në këtë drejtim është programi shkollor i shekullit 21, i zbatuar në partneritet me organizatat ndërkombëtare dhe sektorin privat. Sot, 341 shkolla fillore dhe rreth 1900 mësues në vendin tonë janë pjesë e kësaj iniciative”, theksoi Mickoska.

Qëllimi i sesionit të punës është të grumbullojë zonjat e para nga e gjithë bota për të diskutuar mënyra dhe strategji inovative dhe për të adresuar sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe nxënësit në sferën digjitale. Pas sesionit të punës, pjesëmarrësit e samitit, përfshirë Mickoska, morën pjesë edhe në Tech Expo, ku kompanitë më të njohura botërore të teknologjisë së avancuar prezantuan disa nga produktet e tyre.




