Roaming pa kosto shtesë në BE për qytetarët e Maqedonisë! MTD-ja nis procedurën për harmonizimet ligjore

Ministria e Transformimit Digjital (MTD) informon publikun se ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Komunikimet Elektronike janë futur në procedurë qeveritare dhe janë publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (REKRr/ENER). Sipas Ministrisë, me këto ndryshime, Maqedonia i përmbush detyrimet ligjore për harmonizim me standardet evropiane në fushën e roamingut, me një qëllim të qartë – më shumë mbrojtje, transparencë më të madhe dhe kosto më të ulëta dhe të parashikueshme për qytetarët gjatë përdorimit të shërbimeve mobile në roaming në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit të Ministrisë, vendi ynë tashmë është pjesë e marrëveshjes rajonale për roaming në Ballkanin Perëndimor, me të cilën qytetarët përdorin shërbime mobile në vendet e rajonit sipas kushteve si në vendin e tyre, pa kosto shtesë roaming.

“Me ndryshimet dhe plotësimet krijohen kushtet për vendosjen e rregullave të qarta për kufizimin e çmimeve të shërbimeve roaming, për rritjen e mbrojtjes së përdoruesve përmes informimit transparent dhe mekanizmave për parandalimin e shpenzimeve të papritura, si dhe për forcimin e rolit rregullator të institucioneve përgjegjëse në fushën e komunikimeve elektronike. Këto përfshijnë heqjen e kostove të roamingut gjatë udhëtimit në vendet e BE-së, rritjen e sigurisë ligjore dhe parashikueshmërinë e çmimeve, dhe lehtësimin e aksesit në shërbime digjitale, e-shërbime dhe komunikim mobile jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Ministria pret që Qeveria të miratojë tekstin e ligjit deri në fund të muajit, dhe në shkurt ai do të hyjë në procedurë parlamentare për miratim. Me këtë hap, Ministria e Transformimit Digjital dhe Qeveria i përmbushin kushtet për sigurimin e të njëjtave kosto për thirrje, mesazhe dhe paketa interneti për qytetarët e Maqedonisë, kur ata udhëtojnë ose qëndrojnë në BE. Pas kësaj, do të ndiqet miratimi i tre akteve nënligjore nga Agjencia për Komunikime Elektronike, pas së cilave të gjitha këto aktivitete do t’i shpërndahen Komisionit Evropian për verifikim dhe validim. Në këtë mënyrë, shtojnë nga Ministria, qytetarët e Maqedonisë do të përfitojnë nga zona unike evropiane e roamingut, pa taksa dhe shpenzime të papritura, në të njëjtin mënyrë si qytetarët e BE-së.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit