Në 3 vendvotime në Shuto Orizare do të rivotohet për këshilltarë më 2 nëntor, pasi Gjykata Administrative vendosi në favor të ankesave nga Unioni i Romëve rreth zgjedhjeve kurse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konstatoi se rivotimi mund të sjell ndryshim të mandateve të këshilltarëve.
“Për Komunën e Shuto Orizarit zgjedhjet do të përsëriten pas vendimit të Gjykatës Administrative në vendvotimet 2961, 2962 dhe 2966”, tha Abdush Demiri, Nënkryetar i KSHZ-së.
Në të gjithë komunat e tjera dhe në Qytetin e Shkupit, KSHZ-ja konstatoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjes së këshilltarëve.
Më dy nëntor do të votojnë edhe qytetarët e 33 komunave ku zgjedhja e kryetarit të komunës nuk u arrit me rrethin e parë më 19 tetor. Në këto komuna, sipas Kodit zgjedhor, në balotazh përballen vetëm dy kandidatët me numër më të madh të votave nga rrethi i parë zgjedhor.
33 komuna në rrethin e dytë:
Aerodrom
Bogovinë
Bërvenicë
Vallandovë
Vinicë
Dibër
Debarcë
Demir Kapi
Dojran
Dollnen
Zërnovcë
Karposh
Kërçovë
Konçe
Koçan
Krushevë
Kumanovë
Llozovë
Makedonska Kamenicë
Makedonski Brod
Mogilla
Negotivë
Probishtip
Rankovce
Rosoman
Strugë
Studeniçan
Tetovë
Qendër
Qeshinovë Oblishevë
Çuçer Sandevë
Shuto Orizare
Qyteti i Shkupit
Votimi për kryetarët e komunave ka përfunduar në 44 komuna dhe rezultatet janë zyrtarizuar. Zgjedhjet nuk ishin të suksesshme në katër komunat ku nuk u arrit censusi.
“Janë gjithsej 44 komuna ku është zgjedhur kryetar komunë me rezultate përfundimtare në rrethin e parë. Mbeten katër komuna për zgjedhjen e kryetarit në të cilat kemi konstatuar se nuk ka census prej të paktën 1/3 se votuesve dhe në ato katër komuna, Gostivar, Vrapçishtë, Qendër Zhupë dhe në Mavrovë-Rostushë do të ketë procedurë të re zgjedhore për kryetar e cila do të fillojë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale”, u shpreh Boris Kondarko, Kryetar i KSHZ-së.





