Kronika e televizionit Alsat për rikthimin e shqipes në Ministrinë për Marrëdhënie mes Komuniteteve e ka irrituar zëvendëskryeministrin dhe ministrin, Ivan Stoillkoviq, i cili drejton dikasterin që ka për obligim zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Në një status në Facebook, Sotillkoviq jep komente dhe interpretime për raportimin e Alsat, madje duke shkuar aq larg saqë të thotë se vetë televizioni ka krijuar problem.
“Interesante! Vetë i krijojnë problemet gjoja të mëdha, vetë i zgjidhin. Gjoja kanë kryer trysni dhe janë shumë të fuqishëm. Realiteti është se ndryshimi i vetëm është se ueb-sajti i Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve nga njëgjuhësh, shqip, u bë shumëgjuhësh dhe janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet nacionale në Maqedoni që mund të verifikohet në mënyrë shumë të thjeshtë. Ndryshimi i këtillë kërkon kohë, përpunim të ueb-sajtit të ri, angazhim të përkthyesve, në rastin tonë arritëm atë ta bëjmë në bazë vullnetare. Përndryshe, patjetër duhet të pranohet se janë mjeshtër për krijimin e realitetit paralel, i cili me të vërtetë nuk ka pika të përbashkëta, as me të vërtetën dhe as me realitetin”.
Statusi i Stoillkoviqit, nuk përgënjeshtron në asnjë pikë atë për të cilën ka raportuar Alsat, përkatësisht “zhdukjen” e shqipes nga faqja e internetit, por është një koment i pastër dhe sulm ndaj medias, nga pozita e zëvendëskryeministrit.
Në fakt e vërteta është se Ivan Stoillkoviq pesë muaj e ka mbajtur faqen e Ministrisë vetëm në gjuhën maqedonase dhe vetëm pasi kryen mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektorët e Inspektoratit të Gjuhëve, pas denoncimit të Alsat, ai e lëshoi në përdorim versionin e shqipes. Dhe kjo, konstatohet edhe në njoftimin e Inspektoratit.





