3.8 C
Skopje
Thursday, December 18, 2025

Rikthehet shkolla e mesme policore, të drejtë aplikimi do të kenë nxënësit që kanë përfunduar vitin e parë dhe të dytë të shkollës së mesme

Funksionimi i shkollës së mesme policore në Maqedoninë e Veriut pritet të nisë nga 1 shtatori i vitit 2026. Këtë e parashikon Ligji për Shkollën e Mesme Policore, i cili u votua në Kuvend. Sipas zgjidhjes ligjore, shkolla e mesme policore do të funksionojë në kuadër të Qendrës për Trajnim në Idrizovë, e cila sipas Ligjit do të veprojë si Akademi Policore. Arsimi do të zgjasë dy vite dhe do të përfshijë vitin e tretë dhe të katërt të arsimit të mesëm. Të drejtë aplikimi do të kenë nxënësit që kanë përfunduar me sukses vitin e parë dhe të dytë të shkollës së mesme, përmes konkursit publik.

“Jam i bindur se brenda dy deri në dy vjet e gjysmë, nëse fillojmë nga 1 shtatori, Maqedonia do ta ketë gjeneratën e parë, pasi kjo shkollë e mesme policore do të përfshijë vitin e tretë dhe të katërt të arsimit të mesëm. I ftoj të gjithë nxënësit e interesuar që aktualisht janë në vitin e dytë, pa marrë parasysh në cilën shkollë të mesme janë të regjistruar, që nëse dëshirojnë të bëhen policë dhe të shërbejnë në shtet, të mendojnë të regjistrohen nga 1 shtatori në shkollën e mesme policore që po e rikthejmë në Maqedoni”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Njëkohësisht, Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë mundësi të vazhdojë edhe me modelin ekzistues të trajnimit bazë për polic, i cili zgjat një vit. Në arsyetimin e ligjit theksohet se përvojat nga vendet si Serbia, Kroacia, Bosnjë- Hercegovina dhe Çekia tregojnë se arsimi i mesëm policor, edhe pse prodhon më pak kuadër, siguron cilësi më të lartë profesionale. Edukimi i kandidatëve të moshës 15–16 vjeç mundëson përgatitje më afatgjatë krahasuar me trajnimin aktual të policëve të moshës 18–25 vjeç. Gjenerata e fundit e nxënësve të shkollës së mesme policore ka përfunduar në vitin 2000, ndërsa me zbatimin e ligjit të ri pritet të nisë gjenerata e 25-të. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit