Rezultatet e para të Institutit të Shëndetit Publik lidhur me dyshimet për helmim masiv në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov” në komunën e Karposhit treguan praninë e baktereve në tre çezma të objektit, dy nëpër klasa dhe një në kuzhinë. Këto baktere mund të shkaktojnë simptoma si të vjellat, dhimbje barku dhe temperaturë të lartë. Deri më tani, zyrtarisht janë paraqitur 29 fëmijë dhe një mësuese me simptoma të helmimit. Shtatë fëmijë ndodhen në klinikë, ndërsa dy prej tyre pritet të lëshohen për trajtim në shtëpi. Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Te një nga fëmijët është konfirmuar noro-virus, i cili njihet për ngjitshmëri dhe përhapje të shpejtë.
“Nga mostrat e marra nga pajisjet e punës nga çezmat, dhe nga enët që kanë ngrënë mund të them se nga 9 mostrat e marra, tre janë pozitive, pra dy çezma nga dy klasa, dhe një çezmë në kuzhinë, këtu janë gjetur bakterie nga grupi enetro bakteria…nga tre të punësuar në kuzhinë janë marrë mostra nga duart dhe mikrobioligjikisht janë në rregull, janë marrë mostra edhe nga hunda dhe fyti që dy prej tyre janë në rregull, ndërsa tek njëra është gjetur stafilokokus aeorus”, tha Marija Andonovska, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik.
Ndërsa nga ndërmarrja publike Ujësjellës dhe Kanalizime thonë se uji në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov” është i sigurt dhe i pijshëm.
“Nga rezultatet e marra, të gjitha mostrat fizikisht, kimikisht dhe mikrobiologjikisht janë në përputhje me Rregulloren për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm, me ç’rast konkludojmë se uji në Shkollën Fillore “Dimo Haxhi Dimov” në komunën e Karposhit është i sigurt dhe mund të përdoret pa probleme”, thonë nga Ujësjellësi dhe Kanalizime.
Ndër fëmijët me simptoma të helmimit ishte edhe djali i kryeministrit Hrsitijan Mickoski, i cili sot tha se djali i tij është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka qenë i shtruar në spital, por ka munguar disa ditë në shkollë. /Alsat.mk





