Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar një sërë parregullsish në prokurimet publike gjatë funksionimit të Konviktit Studentor “Pelagonia” në Kisella Vodë.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me prokurimin e bukës. Sipas raportit të revizionit, me kontratën e re të vitit 2025 çmimi i bukës ka arritur në 126 denarë për kilogram, ndërsa çmimi i tregut ishte rreth 70 denarë për kilogram.
Revizorët theksojnë se pas vendosjes së evidencës ditore, faturat mujore në vitin 2025 kanë shënuar ulje të ndjeshme krahasuar me vitin paraprak. Megjithatë, mënyra e faturimit dhe kontrollit të sasive ka krijuar mospërputhje në përdorimin e mjeteve publike.
Sipas raportit, e njëjta praktikë ishte evidentuar edhe në vitet 2023 dhe 2024, kur një copë bukë llogaritej si një kilogram, pa u bërë matja e saktë e produktit.
Në prokurimin e bukës dhe miellit në vitin 2023, kontrata ishte lidhur me një operator ekonomik, aktiviteti bazë i të cilit nuk përputhej me artikullin e prokuruar. Gjithashtu, revizionit nuk i ishte dorëzuar garancia bankare e paraparë për realizimin cilësor të kontratës.
Edhe pse çmimi i kontraktuar për bukën ishte 57,46 denarë për kilogram, gjatë realizimit të kontratës operatori ekonomik faturonte një copë bukë si një kilogram. Kjo praktikë, sipas revizionit, u evidentua vetëm në fund të vitit 2024, duke treguar dobësi në kontrollet e brendshme.
Parregullsi janë konstatuar edhe në prokurimin e dyshekëve për studentët. Në vitin 2023 janë blerë 250 dyshekë në vlerë prej rreth 1,174 milionë denarësh, por ato nuk janë vënë në përdorim pasi dimensionet e tyre nuk përputheshin me shtretërit në konvikt.
Revizorët kanë konstatuar se dokumentacioni i tenderit për blerjen e dyshekëve përmbante kushte kufizuese, ndërsa kontrata ishte lidhur pa garanci bankare për realizim cilësor. Dyshekët janë magazinuar dhe kanë mbetur të papërdorur.
Raporti përmend edhe një blerje të mëparshme prej 450 dyshekësh nga i njëjti furnizues. Sipas revizionit, edhe këta dyshekë nuk ishin në përputhje me dimensionet e shtretërve dhe kishin ndikuar në stabilitetin e tyre.
Mospërputhje janë evidentuar edhe në prokurimet e produkteve të tjera ushqimore. Për mishin e freskët, produktet e përpunuara të mishit dhe peshkun, si dhe për produktet bujqësore, revizorët konstatuan se në disa procedura ishte dorëzuar vetëm një ofertë.
Në disa raste, kontratat ishin lidhur në vlerën e planifikuar pa përcaktuar paraprakisht sasitë. Për produktet që bliheshin rregullisht, çmimet e ofruara ishin më të larta se ato të tregut, ndërsa për artikujt që nuk bliheshin ishin paraqitur çmime shumë të ulëta, pa kërkuar sqarime shtesë nga operatorët ekonomikë.
Revizioni ka evidentuar gjithashtu raste të tejkalimit të vlerave të kontraktuara, duke vlerësuar se këto raste tregojnë dobësi në kontrollin e prokurimeve dhe rrezik për përdorim joekonomik të mjeteve publike.






