Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e reshjeve rekord që kanë përfshirë lindjen e Japonisë, në zonën pranë Tokios.
Reshjet e dendura, të cilësuara nga autoritetet si të paprecedenta, kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Më shumë se 20 mijë familje kanë mbetur pa energji, ndërsa rreth 7 mijë udhëtarë kanë kaluar natën të bllokuar në aeroportin ndërkombëtar të Naritës për shkak të kaosit në transport.
Në disa zona të prefekturës Chiba janë regjistruar mbi 360 milimetra reshje brenda 24 orëve, duke përmbytur rrugë dhe linja hekurudhore.
Autoritetet japoneze kishin ngritur të enjten nivelin më të lartë të alarmit për emergjencat, ndërsa të premten në mëngjes alarmi u ul në nivelin e katërt.
Megjithatë, autoritetet vazhdojnë të paralajmërojnë për rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.






