7.8 C
Skopje
Wednesday, December 24, 2025

“Replek” shpërblehet si kompania më transparente në Bursën e Maqedonisë

Shkup – “Replek AD Shkup” është shpallur kompania më transparente e listuar në Bursën e Maqedonisë, duke fituar çmimin prestigjioz “Zilja e Kristaltë”, vlerësim që tradicionalisht ndahet nga Bursa e Maqedonisë për letra me vlerë.

Ky çmim, i dhënë në fund të vitit, konfirmon standardet e larta të transparencës, llogaridhënies dhe komunikimit të hapur që “Replek” kultivon ndaj investitorëve, institucioneve rregullatore dhe publikut të gjerë. Përzgjedhja është bërë nga një komision i përbërë nga gazetarë ekonomikë me përvojë, të cilët ndjekin vazhdimisht tregun e kapitalit dhe kompanitë e listuara në bursë.

Sipas vlerësimit të komisionit, “Replek” dallohet për informimin e rregullt dhe të plotë mbi aktivitetet operative, zhvillimet financiare dhe ndryshimet në strukturën aksionare, duke ndërtuar besim të qëndrueshëm në treg.

Çmimin në emër të kompanisë e pranoi Ofelija Petkoviq, drejtoreshë e sektorit të financave, e cila theksoi se ky vlerësim vjen në një vit simbolik, kur “Replek” shënon 80-vjetorin e themelimit.

“Transparenca për ne nuk është vetëm obligim ligjor, por përcaktim strategjik. Përmes komunikimit të hapur dhe punës së përgjegjshme, ne ndërtojmë besim afatgjatë me investitorët, partnerët dhe publikun,” deklaroi Petkoviq.

Aksionet e “Replek AD Shkup” renditen ndër më të tregtuarat në Bursën e Maqedonisë dhe prej një viti janë pjesë e indeksit elitë MBI10, fakt që dëshmon stabilitetin dhe besimin që tregu ka ndaj kompanisë. Si hap drejt rritjes së qasjes për investitorët, kompania realizoi edhe ndarjen e aksioneve në raport 1 me 10, duke i bërë ato më të përballueshme për një rreth më të gjerë aksionarësh.

Çmimi “Zilja e Kristaltë” forcon më tej pozicionin e “Replek” si një nga kompanitë më të besueshme dhe më të hapura në tregun e kapitalit në vend.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit