12.8 C
Skopje
Monday, October 6, 2025

Reisul Ulema Shaqir ef. Fetai mori pjesë në fillimin e vitit akademik në Fakultetin e Shkencave Islame

Shkup, 5 tetor 2025 – Në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup u mbajt sot ceremonia solemne e shënimit të fillimit të vitit të ri akademik. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga myftinjtë e disa qyteteve, përfaqësues të Rijasetit dhe drejtues të institucioneve fetare e arsimore.

Në mesin e të pranishmëve ishin Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Strugës, H. Adi ef. Murtishi, Myftiu i Ohrit, H. Samet ef. Ajdari, Myftiu i Manastirit, H. Amit ef. Rasimi, Sekretari i Përgjithshëm, Irsal ef. Jakupi, Drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam ef. Islami, dhe Shefi i Kabinetit, Dr. Abdulkerim ef. Iseni, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë të lartë të Rijasetit.

“Hapat e parë drejt dijes dhe vlerave”

Në fjalën përshëndetëse, dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe veçanërisht studentëve të rinj. Ai theksoi rëndësinë e dijes dhe misionin e Fakultetit për të ndërtuar breza të rinj mbi bazat e vlerave islame dhe shoqërore.

> “Hapat që ju i hidhni sot janë hapat e parë drejt dijes, vlerave dhe botës akademike. Fakulteti ynë ka për mision formimin e gjeneratave të dobishme për veten, shoqërinë dhe të shpëtuara në botën tjetër,” – u shpreh dekani, duke falënderuar gjithashtu Reisul Ulemanë për vizionin dhe organizimin që ka sjellë në strukturat e Bashkësisë Fetare Islame.

 

“Ju jeni bartësit e trashëgimisë së Pejgamberit a.s.”

Në vijim, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai mbajti fjalën e tij përshëndetëse, të cilën e nisi me ajetin:

> “Nun! Pasha pendën dhe atë që shkruajnë” (El-Kalem, 1),

 

duke theksuar madhështinë e dijes dhe shkrimit në Islam.

Ai kujtoi me emocion periudhën kur kishte qenë mësimdhënës në Medresenë “Isa Beu” dhe student në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, duke e cilësuar atë si një prej fazave më të bukura të jetës.

“Ju studentë jeni duke përjetuar momentet më të mira të jetës, në vendin më të mirë – në Fakultetin e Shkencave Islame. Vetë fakti që jeni regjistruar këtu tregon se vini nga familje me frymë islame.

 

Reisul Ulema theksoi se studentët e këtij Fakulteti janë trashëgimtarë të zinxhirit të dijes fetare, që nis nga Pejgamberi a.s. dhe vazhdon përmes dijetarëve deri në ditët tona.

> “Ky është një nder i madh, por edhe një përgjegjësi e madhe për ta prezantuar Islamin në mënyrën më të denjë dhe më të lartë,” – theksoi ai.

 

Në fund të ceremonisë, Reisul Ulema u uroi suksese studentëve dhe stafit akademik në fillim të vitit të ri, ndërsa studentëve të rinj u shpërndanë indekset, si simbol i fillimit të rrugës së tyre drejt dijes dhe formimit shpirtëror.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit