0.8 C
Skopje
Sunday, December 21, 2025

Regjisorja e re Evi Gjoni rrëfen rrugëtimin në kinematografi

Rrugëtimi i regjisores së re Evi Gjoni në kinematografi është ndërtuar mbi pasionin e hershëm për rrëfimin vizual. Me dy filma të shkurtër të përzgjedhur në festivale jashtë vendit dhe me vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, ajo po afirmohet si një nga zërat e rinj të kinemasë shqiptare.

Në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, regjisorja Gjoni tregoi se filmi për të është më shumë sesa profesion, duke e cilësuar atë si një mënyrë për të shprehur identitetin dhe për të ndërtuar ura komunikimi përmes artit.

“Filmi për mua është më shumë se profesion”, u shpreh ajo.

Bijë e Valter Gjonit, i njohur si një figurë emblematike e protokollit në Bashkinë e Tiranës, Evi Gjoni tregoi se lidhja me krijimtarinë ka nisur herët. Gjatë adoleshencës, ajo filloi të shkruante jo në formën e një ditari, por si skenarë me skena të shkurtra, shpesh të ndërthurura me pasionin për fotografinë, për të krijuar imazhe që pasqyronin botën e saj të brendshme dhe realitetin përreth.

Rrugëtimi profesional i saj u formësua nga bashkëpunimi dhe mësimi pranë emrave të njohur të kinemasë shqiptare, si Kristaq Mitro dhe Artan Minarolli, si dhe nga përgatitja në master me Mevlan Shanaj. Një moment i veçantë, sipas saj, ishte takimi me regjisorin Gjergj Xhuvani, pas përfundimit të maturës, i cili e orientoi në përgatitjen për konkursin e Akademisë së Arteve, konkurs që ajo e fitoi.

Gjoni rrëfeu gjithashtu pse Shqipëria mbetet vendi ku ajo synon të vijojë ndërtimin e karrierës së saj, pa pasur në plan largimin jashtë vendit. Ajo theksoi se, ndonëse problematikat profesionale janë të ngjashme kudo, ka zgjedhur të qëndrojë në Shqipëri për shkak të vlerave morale dhe kulturore që, sipas saj, ruhen ende fort në vend. Ajo vlerësoi rolin e komunitetit dhe të familjes, duke i cilësuar si faktorë të rëndësishëm shoqërorë.

“Kam kuptuar se, edhe në raport me kolegët e mi që kam njohur në trajnime, festivale filmi apo aktivitete të tjera ndërkombëtare, ne jetojmë pothuajse njësoj. Kemi të njëjtat problematika dhe na gëzojnë të njëjtat gjëra. Megjithatë, një arsye pse më pëlqen Shqipëria dhe pse kam zgjedhur të mos largohem është fakti se ne nuk i kemi humbur disa vlera morale dhe kulturore, të cilat kolegët e mi që jetojnë në vende të tjera të Europës i kanë humbur. Jo vetëm ne, por edhe pjesa e Ballkanit dhe e Europës Lindore ruan ende disa vlera të rëndësishme. Shoh se ende bëjmë gjëra për komunitetin dhe për njëri-tjetrin, si dhe i kushtojmë një fokus shumë të fortë familjes. Këto janë gjëra që më pëlqejnë dhe ndoshta lidhen edhe me mënyrën se si jam rritur”, u shpreh ajo.

Ajo nënvizoi gjithashtu se perceptimi për Shqipërinë jashtë vendit po ndryshon dhe se ekziston interes i madh për historitë shqiptare. Sipas saj, Shqipëria vlerësohet tashmë shumë më tepër ndërkombëtarisht, duke i atribuar një meritë të veçantë edhe kryeministrit Rama.

“Pata fatin të realizoj dy filma të shkurtër dhe të kem mundësinë ta përfaqësoj Shqipërinë edhe jashtë vendit. Aty kam kuptuar se imazhi për Shqipërinë është ndryshe kudo që ne shkojmë dhe se, me kalimin e kohës, ky perceptim ka ndryshuar. Kjo besoj edhe falë punës suaj, kryeministër. Shoh se ka interes të madh për historinë shqiptare dhe për vendin tonë, kudo ku shkojmë. Në çdo moment që marr pjesë në një trajnim apo festival, nuk jam vetëm Evi, por jam Evi Gjoni nga Shqipëria dhe, dashje pa dashje, bëhesh ambasadore e vendit tënd. Kjo është gjithmonë një përgjegjësi e madhe”, tha ajo.

Regjisorja u shpreh optimiste për të ardhmen e sektorit të kinemasë në Shqipëri, duke përmendur nismat institucionale në fushën e kulturës dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, përfshirë edhe ardhjen e një grupi profesionistësh që punojnë në Hollywood, të cilat po krijojnë mundësi të reja për artistët e rinj dhe po e bëjnë vendin një hapësirë gjithnjë e më tërheqëse për krijimtarinë filmike.

Në fund Gjoni i dhuroi kryeministrit rama librin e shkruar nga i ati, Valteri “Qytetarët e nderit të Tiranës”./atsh/KultPlus.com

 

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit