12.8 C
Skopje
Sunday, September 21, 2025

Referenti i Muftinisë i fyen besimtarët dhe imamët e Strugës! Reagojnë hoxhallarët. BFI dhe Muftinia në heshtje!

Mevlur Aliu, referent në Muftininë e Strugës, i cili është edhe nipi i ish-ministrit të BDI-së, Jeton Shaqiri, ka fyer rëndë besimtarët musliman të Strugës por edhe Hoxhallarët që kanë reaguar kundër politizimit të Muftinisë. Ai i ka quajtur ata si “Rrahman Morina”, emër që asocon në tradhëtarë të kombit!

“Historia ka njohur Hoxhallarë që kanë dhënë për Kombin dhe vazhdojnë ta bëjnë! Jo për pushtet, por për dinjitet, besim dhe krenari kombëtare! Zëri i tyre s’mund të ndalet kur preket SHQIPTARI! Dem baba dem, SHQIPTAR në këtë vend! I përshëndesim Rrahman Morinat, e kohës sonë!”, ka shkruar Mevlur Aliu në njërin nga postimet e tij, i cili u bë publik pas lajmit nga Ora24.tv për aktivitetet e tij politike.

Ai ka shkruar edhe pas reagimit të disa imamëve.

“Reflektim i hidhur. Nuk kaluan as 24 orë… dhe dolën Rrahman Morinat e kohës sonë. Historia gjithmonë ka pasur individë të tillë që në vend se të ecin me nder e dinjitet, përpiqen të rriten si kërmilli: duke u lëpirë, duke zvarritur trupin dhe duke menduar se kështu do të arrijnë majat. Por harruan se maja nuk arrihet me lëpirje, maja arrihet me besim, me guxim dhe me të vërtetë”, ka thënë mes tjerash Mevlur Aliu.

Mevlur Aliu, edhe pse referent i Muftinisë së Strugë, ka dalë hapur në mbështetje të kandidatit të Ziadin Selës dhe BDI-së në Strugë, duke marrë pjesë në takimet e tij me qytetarët. Gjë e cila është në kundërshtim me vendimin e Bashkësisë Fetare Islame që përfaqësuesit fetar dhe të institucioneve të BFI-së të mos merren me aktivitete politike.

Veprimet e Mevlur Aliut si pjesëmarrja në aktivitetet e kandidatit Arsim Dalipi dhe shkrimet fyese në opinion, kanë shkaktuar reagime të përditshme dhe të ashpra të besimtarëve musliman në rajonin e Strugës, por edhe të një numri të madh të Hoxhallarëve.

Së fundi kanë reaguar imamët, Evzi Mamuti dhe Ariz Saiti.

“Respekti dhe uniteti janë themeli i çdo bashkëpunimi të frytshëm, veçanërisht për udhëheqësit fetarë. Ngacmimet, provokimet apo ndasitë mes tyre janë jo vetëm të dëmshme, por edhe të papranueshme, sepse dobësojnë besimin dhe ndikimin e tyre në shoqëri. Shoqëria ka nevojë për zëra që frymëzojnë paqe, vetëdije dhe përfshirje — jo përçarje dhe ndasi. Në këtë frymë, fjala e hoxhës duhet të jetë një thirrje e sinqertë e ndërgjegjes, jo heshtje e frikës apo zhurmë politike”, ka shkruar në reagimin e tij imami Ariz Saiti.

“Degradimi i një institucioni më së miri bëhet nga individë jokompetent, që nuk janë të ushqyer me dituri përkatëse, por me ego dhe mbështetje të dorës së zezë! Vetëm këto lloj njerëzish mund të fyejnë dhe ti ngjisin epitete xhematit, hoxhallarëve dhe qytetatëve!”, shkruar imami Evzi Mamuti!

Ora24.tv ka kërkuar qëndrim nga Muftiu i Strugës, Adi Mutrishi por edhe nga Bashkësia Fetare Islame, nëse do të marrin masa ndaj referentit të Muftinisë së Strugës, Mevlur Aliu, por deri në këto momenti nuk ka marrë asnjë qëndrim ose përgjigje./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit