Zyra e kandidatit ka dorëzuar në Komunën e Gostivarit kërkesën zyrtare për përdorimin e hapësirës publike në qendër të qytetit (Sheshi i Gostivarit), në orarin nga ora 17:00 deri në ora 22:00, për organizimin e ngjarjes përmbyllëse të fushatës.
Në vend që të veprojë me neutralitet institucional dhe trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët, Komuna ka vendosur të kufizojë orarin e lejuar vetëm deri në ora 19:30, pa asnjë arsyetim ligjor apo praktik.
Një qasje e tillë përbën diskriminim të qartë politik dhe tentativë për të penguar një kandidat të pavarur që gëzon mbështetje të gjerë qytetare.
Ky veprim, i dokumentuar përmes lejes së lëshuar nga Komuna e Gostivarit me datë 14.10.2025, tregon për selektivitet dhe standarde të dyfishta në administrimin e hapësirave publike, pasi kandidatët e lidhur me pushtetin kanë pasur në dispozicion të plota hapësirat dhe oraret e njëjta pa kufizime.
Zyra e kandidatit njofton se, pavarësisht këtij pengimi administrativ, ngjarja përmbyllëse do të mbahet – dhe lokacioni i ri do të bëhet publik gjatë ditës së sotme.
Administrata komunale mund ta mbajë sheshin për vete,por jo për gjatë – sepse pas 19 tetorit, ai shesh dhe çdo hapësirë publike do t’u kthehen qytetarëve të Gostivarit, aty ku e kanë vendin.
Asnjë pushtet nuk mund të përvetësojë hapësirat publike për interesa partiake, e as të ndalë zërin e lirë të qytetarëve.
Fushata e z. Visar Ademi është dhe do të mbetet paqësore, qytetare dhe me dinjitet, duke reflektuar energjinë, bashkimin dhe shpresën e qytetarëve të Gostivarit për ndryshim.
Gostivari është i qytetarëve, jo i pushtetit.
Dhe më 19 tetor, kjo do të dëshmohet qartë.