Këshilli i etikës për media prezantoi raportin nga Monitorimi i 30 mediave online në raportimin përgjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025, nga periudha 20 tetor, deri më 10 nëntor, ku mediat online kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e opinionit publik. Respektimi i standardeve etike për gazetari profesionale dhe të përgjegjshme nga mediat online, mbetet akoma një pikëpyetje. Ndër indikatorët negativ si problematikë më prezente u theksua praktika e gazetarisë “copy paste” apo bartje të plotë e njoftimeve partiake pa asnjë intervenim gazetaresk dhe bazimi tek rrjetet sociale si burim kryesor i informacionit.
“22.5% të mediave janë detektuar përmbajtje copy paste apo plagjiaturë, ku akoma merren dhe transmetohen në mënyrë të paverifikuar dhe pa burime të informacioneve. 25.7% e lajmeve mbështeten te rrjetet sociale si burim i informacionit, por nuk e kanë anën tjetër dhe nuk kanë burime të sigurta.”, – deklaroi kryetarja e Këshillit për Etikë në Media, Leunora Kaliqi.
Rekomandimet e dala nga raporti i Monitorimit, këshillojnë gazetarët të obligohen të sigurojnë të paktën dy burime të pavarura gjatë raportimit të tyre si dhe të përforcohet praktika e verifikimit të fakteve dhe të mënjanohet senzacionalizmi, thonë nga Këshilli i Etikës.
“Fillimisht të përforcohet politika redaktuese, të miratohen (adaptohen) rregulla të brendshme të formalizuara redaktuese në raportimin mbi tema të ndjeshme, siç është raportimi gjatë periudhës zgjedhore, të përmirësohet transparenca, të përditësohen impresumi me të dhëna të sakta mbi pronësinë si dhe ekipin redaktues, në minimizohet praktika copy paste, të zhvillohet formate origjinale gazetareske, të cilat janë të realizueshme për redaksitë e vogla dhe citimi të jetë i detyrueshëm dhe i dukshëm në çdo përmbajtje të huazuar.”, – theksoi drejtoresha ekzekutive në KEMM, Biljana Georgievska.
Sipas kryetares së Komisionit për Ankesa, problematikë ekzistuese mbeten akoma edhe mediat online të cilat nuk janë të regjistruara në regjistrin qendror.
“Problematikë është nëse akoma ekzistojnë online media të cilat nuk janë të regjistruara, paraqitet pikëpyetja kush duhet të mbikëqyrë punën e tyre. Këto pikëpyetje akoma nuk janë zgjidhur përfundimisht. Mendoj se duhet dikush të ndërmarrë iniciativë të përbashkët, të koordinuar, që të shikohet si mund të implementohen rregullativat ligjore, që të vendoset rend në këtë drejtim.”, – u shpreh kryetarja e Komisionit për Ankesa pranë KEMM-it, Snezhana Tërpevska.
Monitorimi i mediave online do të vazhdojë edhe jashtë proceseve zgjedhore dhe do të zbatohet indeksi i transparencës dhe parimeve të tjera profesionale.





