Rama: Trami elektrik nuk financohet nga buxheti i Kryeqytetit

Pas miratimit të buxhetit të Prishtinës për vitin 2026, ku nuk është përfshirë projekti i tramit elektrik, ka reaguar kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, shkruan KultPlus.

 

Në një deklarim në rrjete sociale, Rama ka theksuar se projekti i tramit nuk kërkon ndarje të mjeteve nga buxheti komunal, pasi sipas tij, ai po zhvillohet në bashkëpunim me sektorin privat dhe do të financohet përmes kapitalit privat.

 

“Sa i përket tram-it elektrik, nuk ka nevojë të ndahet buxhet nga Kryeqyteti. Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me sektorin privat dhe do të financohet përmes angazhimit të kapitalit privat. Këtë e kam shpjeguar ditën kur janë nënshkruar marrëveshjet me operatorët privat”, ka shkruar Rama.

 

Mungesa e projektit në buxhetin e këtij viti ka nxitur diskutime në opinion, duke qenë se trami elektrik është prezantuar si një nga projektet kyçe për transformimin e transportit publik në Prishtinë.

 

Nga Komuna nuk është bërë e ditur një afat i ri konkret për fillimin e punimeve, ndërsa kryetari insiston se modeli i partneritetit me sektorin privat mbetet forma e zgjedhur për realizimin e këtij projekti. /KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit