Kryeministri Edi Rama siguroi sot nga Brukseli se Shqipëria do të vazhdojë me intensitet dhe disiplinë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e bërë prioritet që ky proces të mos ndalet.
Pas mbajtjes së Konferencës së 7-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, dhe Marie Bjerre, Ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, vendi i të cilës mban Presidencën e Këshillit të BE-së.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria po punon ngushtë me partnerët e saj në Bruksel dhe në shtetet anëtare për të ndërtuar procesin e anëtarësimit “gur pas guri”, duke e bërë një realitet të qëndrueshëm dhe të planifikuar.
“Kush do ta mendonte që do të ishim këtu sot duke çelur të gjithë grup-kapitujt. Vetëm pak kohë më parë kjo dukej e pamundur dhe ishim duke u mësuar me sprapsjet dhe sfidat e mëdha,” tha Rama.
“Ky rrugëtim na bëri më të fortë dhe më të vetëdijshëm për gjithë ecurinë e jashtëzakonshme të procesit. Ja ku jemi sot, me atë që ishte vetëm ëndërr pak më shumë se një vit më parë, tashmë transformuar në plan pune dhe realitet të përditshëm,” shtoi ai.
Rama falënderoi për mbështetjen Komisioneren Marta Kos dhe ministren daneze Marie Bjerre.
“Marie Bjerre meriton falënderime për përkthimin e fjalëve të Presidencës daneze në veprime konkrete për zgjerimin, dhe Komisioneren Marta Kos, që me zjarr dhe përkushtim mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor,” theksoi kryeministri.
Ai shtoi se ndihet i frymëzuar nga mbështetja e fortë që po merr procesi i zgjerimit, duke e cilësuar si një motiv shtesë për të vazhduar punën për integrimin e Shqipërisë në BE.





