Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, krahas kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, kanë mbajtur një konferencë për media.
Ai tha se rezultati që mori në zgjedhje është besim e legjitimitet i vizionit të tij për kryeqytetin.
“Sot u vërtetua se projektet e mëdha dhe programi ynë për transformimin e kryeqytetit e Prishtinës kanë marrë jo vetëm mbështetje, por legjitimitetin e plotë për katër vitet që vijnë. Kemi fituar besimin tuaj për punën e ndershme, për përkushtimin e palodhur dhe për vizionin që kemi ndërtuar bashkë gjatë këtyre viteve, plot sfida e pengesa, por edhe me shumë dashuri, vullnet e punë të mëdha”.
Duke falënderuar votuesit e tij, Rama tha se “Prishtina po transformohet dhe askush s’mund ta ndalë”.
Rama u pyet nëse është i gatshëm të bashkëpunojë me PDK-në sërish sikurse mandatin e parë. Megjithatë, në gjysmë të mandatit LDK e PDK prishën koalicionin mandatin e kaluar.
“Ne duhet ta shikojmë të ardhmen dhe të mos të fokusohemi në të kaluarën. Kushdo që bëhet pjesë e vizionit tonë, që tashmë është fitues në kryeqytet, jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me secilin që i bashkohet vizionit tonë për transformimin e mirëfilltë të kryeqytetit”.