Rama: 20 shkolla në Tiranë pajisen me kamera inteligjente për rritjen e sigurisë

Advertisement

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur se 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, në kuadër të projektit “Smart City”, me qëllim rritjen e sigurisë në institucionet arsimore.

Rama tha se investimi në teknologji të reja erdhi pas ngjarjes tragjike pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku një 14-vjeçar u vra me thikë. Sipas tij, sistemet e mëparshme të kamerave nuk kishin ndihmuar sa duhet në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas kryeministrit, kamerat e reja kanë mundësi të sinjalizojnë në kohë reale drejtuesit e shkollave, punonjësit e sigurisë dhe Policinë e Shtetit, duke mundësuar reagim më të shpejtë ndaj situatave të dyshimta ose të rrezikshme.

“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje. Atëherë unë bëra një zotim; do të sjellim Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla”, tha Rama.

Ai theksoi se 20 shkollat e para të pajisura me këtë teknologji janë vetëm fillimi i projektit, i cili pritet të shtrihet gradualisht në të gjitha shkollat e vendit.

Kamerat inteligjente janë vendosur në hapësirat ku kanë qenë sistemet e vjetra, por ofrojnë funksione shtesë për monitorim dhe identifikimin në kohë reale të situatave të dyshimta.

“Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, u shpreh Rama.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit