Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira (KSL), Bllagoja Rallpovski para takimit të sotëm me kryeministrin Hristijan Mickoski në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësues të sindikatave të tjera përfaqësuese të administratës, deklaroi se janë këtu që të konfirmohet ajo për çka kanë negociuar gati për një vit.
“Sot jemi këtu për të konfirmuar atë që kemi negociuar për gati një vit. Kjo rritje në një formë tjetër duhej të ndodhte vitin e kaluar, por nuk ka ndodhur që nga 1 maji. Një ose dy muaj më parë, filluam përsëri negociatat dhe gjetëm këtë formulë që duhet ta përfshijmë në marrëveshjet kolektive në mënyrë që të punësuarit në administratë të marrin atë që meritojnë vërtet. Neni 47 shpjegon pagën dhe koeficientin, por tani ka dalë në dritë ajo që thamë në vitin 2023, kur po nënshkruhej Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive. Në atë nen, në paragrafin 4, thuhet se koeficienti nuk mund të jetë më i lartë se rritja nominale e PBB-së, pra nuk është 12,5 siç thuhet, por shumë më i ulët. Marrëveshjet që nënshkruam në arsim, kujdes shëndetësor dhe administratë janë më të favorshme se ai nen në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, ndërsa ligji thotë:’merret ajo që është më e favorshme’”, deklaroi Rallpovski.
Në pyetjen e gazetarëve nëse do ta mbështesin protestën e LSM-së të martën, u përgjigj se nuk kanë ftesë, por “do të ketë mbështetje”.
“Nuk kemi ftesë, asnjëherë nuk kemi dalë në protestë të përbashkët. Atë që e kërkon LSM, ja unë mund ta them personalisht, po, do të ketë mbështetje, por pse të jetë 600 euro, le të jetë 700 euro, pse të harmonizohen pagat vetëm 100 euro, duhet të harmonizohen aq sa do të rritet paga minimale”, potencoi Rallpovski.
Përveç Rallpovskit, para takimit në Qeveri deklaratë për mediat dha edhe kryetari i AOJSHQ-së, Tërpe Deanovski.



