-0.2 C
Skopje
Sunday, December 21, 2025

‘Qyteti i Sigurt’ me shumë mangësi, qytetarët kërkojnë ndryshime

Sistemi “Qytet i Sigurt”, i cili po vendoset gradualisht në Maqedoninë e Veriut, megjithëse vlerësohet si një hap i nevojshëm drejt sigurisë dhe rregullimit të trafikut, qytetarët shprehin shqetësime për mangësitë e sistemit, si dënimet e larta, keqpërdorimi i të dhënave personale dhe dilemat për zbatim selektiv, shkruan Portalb.mk. Për të parë nga afër se si ky sistem i cili veç më ka filluar të zbatohet në Shkup, përmes një anketimi publik, qytetarët nga mbarë vendi ndanë për Portalb.mk përvojat e tyre.

Shumica e qytetarëve janë dakord me vendosjen e këtij sistemi dhe besojnë se i njëjti do të rrisë sigurinë në komunikacion.

Megjithatë, shumica e tyre theksojnë se infrastruktura në vend nuk është e përshtatshme për funksionimin efektiv të sistemit.

Problem tjetër për shumicën e qytetarëve është edhe shuma e dënimeve, të cilat janë të papërballueshme.

Megjithatë edhe pse në përgjithësi përshtypjet e qytetarëve janë pozitive, ata kanë një sërë kritikash dhe rekomandime për Ministrinë e Brendshme.

Problemet kryesore lidhen me mungesën e tolerancës në tejkalimin e shpejtësisë, gabimet në dërgimin e gjobave, çmimet e dënimeve, si dhe mungesën e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Ndër të tjera, qytetarët kërkojnë që sistemi të vendoset në të gjithë vendin përpara zbatimit të plotë, pasi në të kundërt e konsiderojnë atë diskriminues ndaj qytetarëve.

Çfarë na thanë qytetarët?
“Duhet të rregullohet më mirë, sepse nuk mund të ndëshkohen qytetarët për tejkalim shpejtësie prej 1 km/h deri në 10 km/h; duhet të ketë tolerancë. Gjithashtu, ka shumë gabime, pasi gjobat dërgohen në numra dhe email-e të gabuara, çka duhet të rregullohet urgjentisht. Sistemi duhet të vendoset në të gjitha qytetet, pasi në të kundërt krijohet diskriminim dhe nuk është i barabartë për të gjithë qytetarët”.

“Asnjë ndryshim, është shumë mirë që nuk ka tolerime, pasi shoferi duhet të vozisë me kujdes dhe sipas shpejtësisë së lejuar në komunikacion” .

“Ky projekt duhet të marrë parasysh shoqërinë, shtetin dhe sistemin për vendosjen e një “sistemi të tillë”, sepse një pagë mesatare prej 300 euro nuk mund të përballojë një dënim prej 299 euro, ashtu siç një infrastrukturë e dobët me rrugë të dëmtuara (si në Bangladesh) nuk përputhet me një sistem amerikan” .

“Ky projekt është bërë për shterimin e të ardhurave materiale; çdo projekt bëhet për të mbledhur para nga populli, askujt nuk i intereson siguria” .

“Çmimet e dënimeve të përputhen me të ardhurat minimale në shtet, mbrojtja e identitetit dhe informatave personale (sipas lajmeve të kaluara ka pasur shkelje në këtë aspekt dhe disa persona janë informuar për dënimet që i përkasin individëve të tjerë). Të mos futet në funksion sistemi deri sa të përmirësohen sistemet digjitale. Nuk besoj se sistemi juridik ka kapacitet për procesimin e 50-100 mijë dënimeve në ditë” .

“Të ulen gjobat dhe sistemi të veprojë në mënyrë të paanshme për secilin prej nesh”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit