Pastrimi jo i rregullt i kontejnerëve dhe hapësirës rreth tyre, posaçërisht pranë objekteve shkollore paraqet rrezik për shëndetin e fëmijëve por edhe të rriturve. Mjekja Safjane Bellçishta tha për Alsat se qëndrimi disa ditë i mbeturinave në një vend mund të shkaktojë paraqitjen e sëmundjeve respiratore. Madje, sipas Bellçishtes më të rrezikuar janë personat që vuajnë nga astma. Përveç mbledhjes së mbeturinave, mjekja Bellçishta apelon të pastrohet me ujë dhe të dezinfektohet toka ku qëndrojnë mbeturinat.
“Plastika, letra apo kartonët duhet të kenë vende të posaçme ku hidhen sepse gjatë ndejtjes ato lëshojnë metale të rënda, lëshojnë gazra që ndikojnë shumë në organe e frymëmarrjes si dhe mandej shumica e pacientëve apo të rinjve mund t’u ndikoj në moshën, në rritjen e tyre, mund të ndikoj në organet e frymëmarrjes, në organet kardiovaskulare, në veshkat. Mund t’u paraqitet edhe ndonjë sëmundje tjetër e syve, dobësimi i syve. Do të thotë se shumë rrezik është që mbeturina të qëndroj disa ditë jashtë kontejnerëve apo në kontejner, pa i bart prej atij vendi, pa u pastruar”, tha Safjane Bellçishta, mjeke amë.
Mjekja Bellçishta rekomandon që nxënësit ti dezinfektojnë këpucët para se të futen në shkollë me qëllim parandalimin e bartjes së infeksioneve të ndryshme. Nga ana tjetër nxënësit që anketuam për Alsat përveç se u ankuan për mbeturina të shumta rreth shkollës u ankuan edhe për papërgjegjësi nga nxënës të caktuar të cilët hedhin mbeturina vend e pa vend.
“Shumë mbeturina ka rreth shkollës. Çdo dit shkelim nëpër mbeturina kur hymë dhe dalim. Edhe në klasë vjen era e keqe”, u shpreh një nxënës.
“Rreth shkollës ka shumë mbeturina, hedhin fëmijët pa vetëdije, që nuk i edukojnë prindërit në shtëpi dhe tregojnë edukatën familjare në shkollë. Ndonjëherë kur na nxjerr mësuesja jashtë nuk mund të marrim erë të pastër sepse ka shumë mbeturina”, theksoi një nxënës.
Komuna të caktuara në Shkup tashmë me muaj po mbyten nga mbeturinat për shkak të mos mbledhjes së tyre të rregullt nga institucionet përkatëse