Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, duke folur për Pavarësinë e Kosovës, tha se asgjë nuk ka ardhur si dhuratë. Sipas tij, në ditë si kjo, dëshmorët dhe viktimat e pafajshme janë dëshmia e Kosovës liridashëse dje dhe e Kosovës evropianiste sot.
“Kosova na dha dorën e ngrohtë të arsimit në vite jo të mira për ne të gjithë. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë. Ndjehemi mirë kur dëgjojmë se shkëmbimet tregtare mes Republikës së Kosovës dhe RMV-së janë rritur, se kufijtë janë lehtësuar dhe se lëvizja e njerëzve, ideve dhe kapitaleve është shtuar”, tha Qyra.
Ai theksoi se është i bindur që krerët e UÇK-së do të dalin të pafajshëm dhe të lirë nga Haga.
“Nga ana tjetër, nuk mund të mos vërejmë se, për të disatin vit radhazi, edhe në këtë vjetor të Pavarësisë së Kosovës, mungojnë krerët e UÇK-së, të cilët mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale. Kam shpresën e plotë se Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli do të dalin të pafajshëm nga kjo përballje, që sipas meje po i bëhet padrejtësisht luftës së UÇK-së”, deklaroi kreu i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Ai e përmbylli fjalimin me një shprehje të Arbën Xhaferit:
“Perspektiva është gjithmonë aty”. Dhe duke qenë se perspektiva është gjithmonë e pranishme mes nesh, neve na mjafton ta shohim, ta dallojmë dhe të punojmë në atë drejtim. 17 Shkurti është perspektiva e Kosovës. 17 Shkurti është edhe perspektiva jonë. Gëzuar nga zemra”, tha në fund Qyra.
Kreu i Komunës së Strugës foli në orët letrare të organizuara nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë, me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë. /Ora24.tv



