Qyra në Paris: Mbrojtja e Rajonit të Ohrit prioritet i përbashkët me UNESCO-n

Në kuadër të vizitës zyrtare në Paris, Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Ernesto Ottone, Ndihmës Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s për Kulturë, si dhe me përfaqësuesit më të lartë të kësaj organizate ndërkombëtare.

Në takim morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, si dhe përfaqësues të institucioneve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke konfirmuar angazhimin e përbashkët institucional për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit.

Gjatë diskutimeve, palët theksuan rëndësinë e veçantë që ka Rajoni i Ohrit si një pasuri e rrallë natyrore dhe kulturore me vlera universale, e cila kërkon përkushtim të vazhdueshëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj për brezat e ardhshëm.

Bashkëbiseduesit u dakordësuan se, pavarësisht sfidave të së kaluarës dhe atyre që mund të shfaqen në të ardhmen, ato mund të tejkalohen përmes dialogut, partneritetit dhe një qasjeje të koordinuar ndërinstitucionale. Vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve të urbanizmit në Rajonin e Ohrit, të cilat u cilësuan si ndër aspektet më të ndjeshme dhe kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm.

U theksua gjithashtu se bashkëpunimi ndërmjet komunave të Strugës dhe Ohrit është thelbësor, pasi bëhet fjalë për një trashëgimi të përbashkët natyrore dhe kulturore që tejkalon kufijtë administrativë.

Kryetari Qyra nënvizoi se turizmi përbën një shtyllë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Strugës, por theksoi se ai duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me parimet e mbrojtjes së mjedisit dhe qëndrueshmërisë. Ai shtoi se për Komunën e Strugës është një nder, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe, të jetë pjesë e UNESCO-s dhe të kontribuojë aktivisht në proceset e ruajtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Rajonit të Ohrit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit