Qyra dhe Çollaku në eventin për pajisje të reja për menaxhimin e mbetjeve: Struga drejt një sistemi modern dhe të qëndrueshëm

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, së bashku me drejtorin e Ndërmarrjes Publike “Komunale”, Resul Çollaku, morën pjesë në një event promovues kushtuar prezantimit dhe ndarjes së pajisjeve të reja për menaxhimin e mbetjeve të ngurta.
Në këtë aktivitet, përfaqësuesit e Komunës së Strugës zhvilluan takime dhe bisedime me kryetarë komunash nga disa njësi të vetëqeverisjes lokale, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Në fokus të diskutimeve ishin sfidat aktuale dhe mundësitë konkrete për avancimin e sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve, një prioritet kyç mjedisor.
Në kuadër të eventit u prezantuan dhe u inspektuan pajisje moderne të dedikuara për përmirësimin e proceseve të grumbullimit dhe transportit të mbetjeve, të cilat pritet të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e efikasitetit dhe pastërtisë urbane në Strugë.
Komuna e Strugës thekson se angazhimi për mbrojtjen e mjedisit jetësor mbetet i vazhdueshëm, me fokus të qartë në zhvillimin e qëndrueshëm, përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit