Qeveri sot përmes një komunikate me shkrim ka reaguar ndaj deklaratave të sotme publike të kryetarit të LSM-së, Sllobodan Trendafilov, duke i vlerësuar si përpjekje për krijimin e imazhit të rremë për dialogun social.
“Në lidhje me daljet dhe deklaratat publike të Trendafilovit sot, si Qeveri reagojmë ashpër ndaj përpjekjeve për krijimin e një imazhi të rremë për dialogun social. Nuk e dimë kë priste Trendafilov duke qëndruar në sallën e zbrazët, por një gjë është e qartë si kristali, dialogu social për ne është një politikë serioze dhe me përgjegjësi shtetërore, dhe jo një mjet për teatër politik dhe paraqitje para kamerave. Opinioni duhet ta dijë se takimi i kryeministrit Mickoski me përfaqësuesit e sindikatës SPOGJSH është caktuar dhe do të mbahet në ambientet e Qeverisë të enjten në orën 16:45”. qëndron në reagim.
Kjo është një dëshmi konkrete që Qeveria nuk ikën nga dialogu, por kërkon që ai të jetë serioz, përmbajtësor dhe i orientuar drejt rezultateve.
“Dialogu social zhvillohet aty ku e ka vendin , brenda institucioneve, me një plan të qartë dhe me qëllim real për gjetjen e zgjidhjeve. Të gjitha përpjekjet për ta kthyer atë në narrativa të rreme dhe paraqitje arbitrare janë të papërgjegjshme dhe dëmtojnë interesat e punonjësve, të cilët supozohet se po mbrohen. Qeveria mbetet e përkushtuar për një dialog social konstruktiv, por nuk do të lejojë që ai të keqpërdoret për llogari politike ditore”, theksohet në reagim.



