Qeveria ka marrë vendim për zgjidhjen e problemit të parkimit në Kampusin Klinik “Nënë Tereza”, duke hapur rrugën për rregullimin përfundimtar të kësaj çështjeje që ka mbetur e pazgjidhur për dekada.
Me këtë vendim krijohet baza ligjore për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qytetit të Shkupit, çka do të mundësojë realizimin e projektit për rregullimin e parkimit në këtë kompleks shëndetësor.
“Qeveria mori vendim për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së parkimit në Kampusin Klinik ‘Nënë Tereza’, me të cilin mbyllen pengesat administrative që për vite me radhë kanë ndaluar rregullimin e kësaj problematike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së RMV-së.
Sipas autoriteteve, pritet ndërtimi i një parkingu modern dhe funksional, i cili do të përfshijë edhe garazhe shumëkatëshe. Paraprakisht, Ministria e Shëndetësisë, brenda një periudhe tremujore, ka realizuar regjistrimin e parcelës në Kadastër dhe ka përgatitur elaboratin përkatës, duke krijuar kushtet e nevojshme për zbatimin e projektit.



