Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se këtë javë do t’i nisë diskutimet për qeverisjen qendrore. Kurti nuk deshi të japë hollësi se me cilat parti mund të jetë duke diskutuar ndonjë koalicion të mundshëm qeveritar. Ai tha se dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e Kuvendit, ku ai prezanton kabinetin e ri, është 26 tetori. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka mandatuar Kurtin për ta formuar Qeverinë e re, pas konstituimit të Kuvendit më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar nga komuniteti serb. Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por jo mjaftueshëm për ta formuar vetë udhëheqjen e re. Nëse nuk arrin t’i sigurojë 61 votat e deputetëve brenda këtij afati, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin e ri, nëse ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar në analizën gjithëpërfshirëse dhe hollësishme të rezultatit të zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh këtë javë do të fillojmë edhe bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë, i duhet një mandat i ri qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit…Duhet të kemi një mandat të rregullt i cili padyshim që do të fillojë posa ta nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës në detyrë. /Alsat.mk