12.8 C
Skopje
Sunday, October 12, 2025

Qëndrimi i Kurtit për koordinim me urën shihet si hap pozitiv

Deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, analisti politik, Rrahman Paçarizi, e konsideron një shenjë pozitive.

Edhe një pjesë e opozitës në Kosovë thotë se Qeveria e Kosovës gabon nëse vepron pa koordinim me faktorin ndërkombëtar.

Kryeministri Kurti, më 14 gusht, tha se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimin me partnerët e Kosovës lidhur me rihapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçanërisht kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së tij të mërkurën.

Ai, gjithashtu, shtoi se Qeveria e Kosovës e konsideron hapjen e urës si “gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”.

Këto deklarata vijnë një ditë pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se, popullata lokale dhe ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë, mund të rrezikohen nëse Qeveria e Kosovës vendos të hapë urën në këtë kohë.

Rihapja e urës për qarkullim të automjeteve, e cila që nga paslufta e vitit 1999, ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare me atë në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Në këtë urë ka një prani të vazhdueshme të ushtarëve të KFOR-it, aktualisht ushtarë italianë, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj, gjithashtu.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, janë pajtuar që ura të hapet për trafik, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende në terren. Qeveria tashmë ka deklaruar se synon të hapë urën, në pajtim me atë që është dakorduar në Bruksel.

Misioni i KFOR-it mendon se kjo çështje duhet të kthehet në tavolinën negociuese në Bruksel dhe ka përsëritur disa herë se “nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”.

Vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë cilësuar si të njëanshëm synimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Haziri: Hapja e urës duhet të bëhet ekskluzivisht në koordinim me QUINT-in
Partitë opozitare në Kosovë i bëjnë thirrje Kurtit që çdo vendim lidhur me çështjen e urës në Mitrovicë të merret në koordinim me SHBA-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, në mënyrë që të shmangen tensionet e mundshme.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë se LDK-ja ka paralajmëruar më herët se për shkak të moskoordinimit me aleatët, sidomos me NATO-n, çështja e urës po i rikthehet negociatave në Bruksel.

“Është e domosdoshme që Qeveria të ndërtojë një ambient politik dhe koordinim sa më të mirë me të gjitha shtetet anëtare të QUINT-it, në mënyrë që ky moskoordinim të mos ketë ndikim në çështjet që janë shqetësim serioz për partnerët tanë, siç janë siguria dhe integrimi i procesit. Ne e shohim se lojaliteti dhe besimi i qytetarëve duhet të fitohet. Ata janë në bojkot, dhe kjo tregon qartë se ka nevojë për një dialog të brendshëm, mirëpo mendësia e Qeverisë dhe e kryeministrit është e kundërta e kësaj”, tha Haziri.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në kuadër të misionit të NATO-s, është “armik i Kosovës”.

Nga Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë qenë të qasshëm për koment.

Paçarizi: Ura nuk do të mund të hapej pa një konfrontim me NATO-n
Analisti politik, Rrahman Paçarizi, e konsideron si një shenjë pozitive faktin që Kurti ka deklaruar se po vazhdon konsultimet me faktorin ndërkombëtar dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të hapur urën, pa ngritur tensione.

“Ura nuk do të mund të hapej pa një konfrontim me praninë ndërkombëtare ushtarake, KFOR-in, në Kosovë”, tha ai.

Paçarizi vlerëson se Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, deri më tani, e kanë shfrytëzuar çështjen e urës për qëllime parazgjedhore, duke pasur parasysh se zgjedhjet e reja priten në fillim të vitit të ardhshëm.

“Natyrisht, kjo nuk do të thotë se dikush në Kosovë është kundër hapjes së urës, por kjo nuk do të thotë se duhet në asnjë mënyrë të cenohen aleancat e caktuara. Kosova mund të konsiderojë aleate SHBA-në dhe partnerët e tjerë evropianë, vetëm në rast se veprimet janë të koordinuara dhe nuk rrezikojnë në asnjë mënyrë, jo vetëm paqen në një vend të caktuar, por as momentin e përgjithshëm politik apo gjeostrategjik nëpër të cilin kalojnë aleatët përgjithësisht”, tha ai.

Mosmarrja parasysh e këtyre kërkesave, sipas tij, mund të sjellë pasoja.

“Ne tashmë për më shumë se një vit jemi nën sanksione dhe qytetarët e Kosovës nuk i ndjejnë drejtpërdrejt pasojat e këtyre sanksioneve, por në mënyrë indirekte, Kosova po vuan mjaftueshëm prej tyre dhe ashpërsimi i këtyre sanksioneve do të ishte një dëmtim i mjaftueshëm për Kosovën”, tha Paçarizi

Njoftimi për hapjen e urës në Kosovë erdhi pasi autoritetet e Kosovës mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veri, duke deklaruar se ato kanë operuar ilegalisht dhe pa licencë nga autoritetet e Kosovës, për çka edhe Perëndimi reagoi duke e quajtur këtë një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Në dy vjetët e fundit, Qeveria e kryeministrit Kurti ka punuar intensivisht për të shtrirë autoritetin në veri të Kosovës, gjë që ka rezultuar me rezistencë nga popullata lokale dhe me kritika nga komuniteti ndërkombëtar.

Disa nga vendimet e zbatuara përfshijnë riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në ato të Kosovës, ndryshimin e patentave, ndalimin e përdorimit të dinarit serb, si dhe mbylljen e disa institucioneve që funksionojnë në sistemin serb./REL

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit