Ngritja akademike është e duhur dhe shumë e nevojshme për vendin dhe arsimin në përgjithësi. Por, më e rëndësishme se kjo është fakti që ai avancim dhe ajo ngritje akademike duhet të jetë në përputhje ligjore dhe me meritë. E ndaj kësaj është dashtë të merren masa më të rrepta në këtë drejtim që avancimi akademik të bëhet më ngadalë e sigurt në mënyrë që të rritet cilësia në arsimin e lartë. Kushtet për avancim në titujt arsimore shkencore në Universitetet e Maqedonisë së Veriut do të përforcohen me Ligjin e ri për arsim të lartë i cili është në fazën e përpunimit, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Ky vendim duhet të mirëpritet dhe urohet që sa më parë të hy në fuqi, shkruan Zhurnal.
Janevska: Me ligjin e ri do të përforcohen kriteret për avancimin në titujt arsimore-shkencore në universitete
Kushtet për avancim në titujt arsimore – shkencore në Universitetet e Maqedonisë së Veriut do të përforcohen me Ligjin e ri për arsim të lartë i cili është në fazën e përpunimit, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në emisionin Analiza në TV 24.
Ajo theksoi se nga kuadri arsimor përsëri do të kërkohet të publikohet punime në revista me impakt-faktorë, dhe ajo ndërkaq, tha Janevska, është një nga kriteret të cilat vlerësohen në renditjen e universiteteve në Listën e Shangait.
“Pas revolucionit shumëngjyrësh Qeveria ndryshoi, u miratua ligji i cili uli në mënyrë drastike kriteret e avancimit në titujt arsimore-shkencore dhe menjëherë u ndje ulja e intensitetit të punës shkencore-hulumtuese. U ul numri i punimeve që u botuan në revista me impakt- faktorë dhe mes tjerash, kjo kontribuoi në rënien e UKIM-it dhe universiteteve të tjera në renditjen e Listës së Shangait”, tha Janevska, duke theksuar se është komunikim të shpeshtë dhe ka mbështetjen e udhëheqësisë së universiteteve që të forcohen kriteret për avancim në tituj.
Ajo informoi se mjetet për arsmim dhe shkencë gradualisht do të rriten, ndërsa kjo do të thotë edhe mbështetje më e madhe për organizimin dhe pjesëmarrjen në konferenca shkencore ndërkombëtare, për zhvillimin e projekteve shkencore e tjera.
Ministrja u bëri thirrje universiteteve të jenë proaktive në gjetjen e institucioneve arsimore partnere për përpunimin e projekteve dhe shfrytëzimin e përfitimeve të cilat i ofron rrjeti i universiteteve evropiane.
Krahasuar me 5 vite më parë, shumica e qytetarëve besojnë se sot kemi arsim më të keq–
56.3% ndajnë këtë qëndrim kundrejt 25% që nuk shohin ndonjë ndryshim. Vetëm 9.6% e të anketuarve thonë se arsimi i sotëm është në një nivel më të lartë krahasuar me situatën e 5 viteve më parë. Pyetje e njëjtë ka qenë edhe në anketën e realizuar 4 vjet më parë, sipas të cilës 48.9% mendonin se arsimi ishte përkeqësuar në 5 vitet e fundit, kundrejt 28.8% që nuk mendonin kështu.
49% e të anketuarve thonë se cilësia e procesit arsimor në Maqedoninë e Veriut është më e keqe në krahasim me vendet e rajonit. Një e katërta janë të mendimit se është e ngjashme, ndërsa vetëm 5,7% mendojnë se Maqedonia e Veriut ka arsim më të mirë se vendet e rajonit. Dhe këtu krahasimi me anketën e IPIS 2019 tregon se perceptimet janë përkeqësuar. Në atë kohë, 40,1% mendonin se kishte arsim më të mirë në rajon, afër 30% nuk kanë vërejt dallime dhe 10,4% mendonin se në Maqedoninë e Veriut ka një proces më të mirë arsimor në krahasim me vendet e rajonit.
Sipas qytetarëve, arsyeja kryesore pse Maqedonia është në vendet më të ulëta në matjet botërore për cilësinë e arsimit është planprogrami i dobët, mendim të cilin e ndajnë 19,2% e qytetarëve. 15.5% mendojnë se arsyeja kryesore është stafi joadekuat mësimdhënës, 12.7% e shohin problemin në tekstet shkollore jo cilësore dhe 11% në kushtet e këqija në shkolla. Kujtojmë që, anketa për Detektor nga Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar nga 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1107 të anketuarve.
Në çfarë niveli qëndron cilësia në arsim?
Se ku qëndron cilësia në arsim në Maqedoninë e Veriut është shumë thjesht e kuptueshme nëse merren dhe shqyrtohen rezultatet e testeve ndërkombëtare për nxënësit dhe Universitet në vend. Nga të gjitha testet e realizuara deri më tani vendi ynë ka rezultuar në fund të listave ose fare nuk ka qenë në listë. Për shembull, PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve), studim ndërkombëtar për të lexuarit me kuptim, matematikë dhe shkenca natyrore që bën matjen e diturive dhe shkathtësive të nxënësve të moshës 15 vjeçare, ku në lexim me kuptim dhe matematikë nga 77 shtete RMV është në vendin e 67, ndërsa në shkenca natyrore nga 77 shtete RMV është në vendin e 63.
Ndërkaq, nëse flasim për cilësinë në arsimin e lartë kujtojmë që nga publikimi i fundit vitin e kaluar në listën e Shangait asnjë nga Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ishte ranguar në këtë listë. Lista e Shangait: Asnjë Universitet nga Maqedonia nuk bën pjesë në Top 1000. Më së miri të radhitura janë universitetet “Harvard”, “Stenford”, “Kembrixh” dhe “Berkli”. Nga rjaoni, nga vendi i 400 deri në vendin e 500 është ranguar universiteti në Beograd, si dhe universiteti në Ljubjanë. Në këtë listë gjithashtu gjendet dhe Universiteti në Zagreb. /Zhurnal.mk