Me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se punimet për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë do të nisin gjatë ditëve të ardhshme.
Nikolloski deklaroi se vendi po zhvillohet përmes investimeve në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, me synimin për krijimin e një ekonomie më të fuqishme dhe një standardi më të mirë jetese.
Duke folur për projektet infrastrukturore, ai theksoi se ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të nisë brenda pak ditësh.
Sipas tij, punimet po zhvillohen me intensitet edhe në segmentet Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçan, ndërsa gjatë shtatorit pritet të nisë ndërtimi i aksit Bukojçan-Kërçovë.
Nikolloski tha se pret që në tetor të hapet për qarkullim një pjesë tjetër e autostradës Kërçovë-Ohër, ndërsa e gjithë autostrada Kërçovë-Ohër-Strugë pritet të përfundojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Ai gjithashtu bëri të ditur se pret që vitin e ardhshëm, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, të nisë ndërtimi i fazës së parë të hekurudhës Shkup-Jegunovcë-Tetovë-Gostivar, e më pas edhe i fazës së dytë Gostivar-Kërçovë dhe fazës së tretë Kërçovë-Ohër-Strugë.






