Këtë të shtunë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë skena e protestës kombëtare të Partisë Demokratike.
Konkretisht, në orën 17:00, partia më e madhe opozitare ka njoftuar protestën, për të cilën është vënë në dijeni edhe institucionet përgjegjës për mbarëvjatjen e sigurisë, që është Policia.
Kjo e fundit ka publikuar dhe planin e masave.
Sipas opozitës, qëllimi i tubimit është të kërkohet krijimi i një qeverie teknike, që të përgatisë zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme.
Kjo vjen pas demonstratës së fundit të dhjetorit dhe foltoreve që opozita zhvillon çdo të hënë, duke rikujtuar angazhimin e saj për presion qytetar dhe ndryshim të qartë politik.
Lideri i PD-së, Sali Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje aktive, duke e cilësuar protestën si një hap të rëndësishëm drejt qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të reja parlamentare.
Ai tha se protesta e të shtunës është prova e madhe për opozitën dhe luftën e saj për rrëzimin e Edi Ramës, të cilin e etiketoi si “kryehajduti i kombit”.
“Është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste deri sot”, tha ai.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka bërë të ditur planet e masave që do të ndërmerren për garantimin e rendit publik dhe të sigurisë.
Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme dhe të nesërme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”,
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bejmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.



