Protesta e tretë në Patos, qytetarët kundërshtojnë bashkimin me Fierin

Advertisement

Për të tretën herë, qytetarë të Patosit kanë dalë në protestë kundër propozimit për shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier.

Protestuesit kundërshtojnë ndryshimin e statusit administrativ të qytetit dhe kërkojnë që Patosi të vazhdojë të funksionojë si njësi e veçantë administrative.

Sipas tyre, Patosi i plotëson kriteret për të mbetur bashki, ndërsa ndër argumentet kryesore përmenden të ardhurat që gjenerohen nga industria e naftës, e cila prej dekadash përbën një nga aktivitetet kryesore ekonomike të zonës.

Qytetarët shprehen gjithashtu kundër zhvendosjes së shërbimeve administrative drejt Fierit. Ata paralajmërojnë se një bashkim i tillë do të krijonte vështirësi për banorët, veçanërisht për të moshuarit, të cilët do të duhet të udhëtojnë në Fier për dokumente dhe shërbime të ndryshme.

“Patosi ka historinë, ekonominë dhe të ardhurat e veta. Nuk është e drejtë që qytetarët të detyrohen të shkojnë në Fier për shërbime që sot i marrin këtu. Sidomos për të moshuarit kjo është një vështirësi e madhe”, u shpreh një prej protestuesve.

Qytetarët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim, duke kërkuar që qëndrimi i banorëve të Patosit të merret parasysh përpara çdo vendimi lidhur me riorganizimin territorial.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit