Zjarr, përplasje dhe kaos shoqëruan protestën e thirrur nga Partia Demokratike, e cila degjeneroi në akte dhune dhe tensione të forta para Kryeministrisë. Kreu demokrat, Sali Berisha iu ka bërë thirrje efektivëvë të policisë të bashkohen me protestuesit. Ai tha se nuk ka asnjë justifikim për të mbrojtur ata që ai i cilësoi si ‘banditë’.
Sipas tij, Edi Rama është i pashpresë. Berisha tha se gazi lotsjellës dhe uji drejt protestuesve, me urdhër të Ilirjan Prodës dhe Sokol Bizhgas.
Siç ka ndodhur edhe në protestën e 10 shkurtit, zjarri dhe sulmi ndaj institucionit ka nisur menjëherë pasi kreu i PD-së, Sali Berisha përfundoi fjalën e tij. Protesta e opozitës më pas është zhvendosur tek Kuvendi, ku ka pasur përplasje të ashpër mes protestuesve dhe efektivëve.
Protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të autobotëve të policisë.
Pas kësaj, policia ka hedhur ujë dhe gaz lotsjellës, çka ka detyruar kryedemokratin Sali Berisha të vërë sërish maskën anti-gaz.
Bardhi: Gazi lotsjellës brenda xhamisë, akt i rëndë dhe i papranueshëm
Deputeti demokrat Gazment Bardhi, denoncoi se forcat e policisë kanë hedhur gaz lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur, sipas tij, nuk kishte asnjë protestues.
“Hedhja e gazit lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur nuk ka asnjë protestues, përbën një akt të rëndë dhe të papranueshëm.
Është një cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit”, lexohet në reagimin e Bardhit.



