Pronari i lokalit që u dogj në Zvicër lirohet nga burgu – Gjykata cakton garanci prej 200 mijë frangash

Gjykata ka caktuar një garanci prej 200.000 frangash zvicerane dhe masën e paraqitjes së përditshme në stacion policie për pronarin e lokalit “Le Constellation” në Crans Montana të Zvicrës, i cili së bashku me bashkëshorten e tij po hetohet për vrasje nga pakujdesia pas zjarrit ku humbën jetën 40 persona.

Gjykata kompetente njoftoi se pronari i lokalit do të lirohet pas pagesës së garancisë. Tragjedia ndodhi gjatë natës së Vitit të Ri, kur nga zjarri në lokal humbën jetën 40 persona, ndërsa mbi 100 të tjerë u plagosën, raporton Reuters.

Jacques Moretti dhe bashkëshortja e tij Jessica dyshohen për disa vepra penale, përfshirë edhe vrasje nga pakujdesia. Moretti u arrestua më 9 janar për shkak të rrezikut të arratisjes.

Si pjesë e masave për sigurimin e pranisë së tij në procedurë, përveç garancisë financiare, gjykata caktoi edhe detyrimin për paraqitje të përditshme në polici. Nga gjykata bëhet e ditur se të dy të dyshuarit kanë shprehur keqardhje për ngjarjen tragjike dhe kanë paralajmëruar bashkëpunim të plotë me prokurorinë.

Prokurorët zviceranë kishin bërë të ditur më herët se janë zhvilluar dy seanca të detajuara dëgjimore me pronarët e lokalit, të cilët për momentin janë të vetmit të dyshuar në hetim. Secila seancë ka zgjatur mbi dhjetë orë dhe është fokusuar në çështjet që lidhen me standardet e sigurisë dhe rikonstruksionin e objektit.

Prokuroria njoftoi gjithashtu se janë kryer bastisje, janë mbledhur prova relevante dhe është sekuestruar një pjesë e pasurisë, në kuadër të hetimit për përcaktimin e përgjegjësisë për njërën nga tragjeditë më të rënda në Zvicër në vitet e fundit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit