Komisioni i përhershëm i arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), në bashkëpunim me Institutin e Historisë promovuan sot librin “Sali Vranishti kapedani që nuk i mbylli sytë as në bronz”, i autorit Arben Saliu, nipi i Heroit të Popullit.
Akademiku Hamit Kaba theksoi se Sali Vranishti është një figurë e rëndësishme historike, që në mendjet dhe zemrat e popullit është kthyer në një figurë legjendare e mitike.
Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, kryetar i Komisionit të përhershëm të arteve pranë ASHSH-së, vuri në dukje rëndësinë e librit si dëshmi të jetës dhe aktivitetit patriotik të Vranishtit. Ai e prezantoi Vranishtin si njeriun këngë, ndërsa e vlerësoi figurën e tij në këngët e rrëfenjat popullore si të prekshme lidhur me jetën dhe aktivitetin e tij patriotik për Shqipërinë. Ai u shpreh se Sali Vranishti është vlerësuar me epitete që reflektojnë vlerësimin autentik të popullit, jashtë klasifikimeve formale shoqërore dhe akademike.
Tole theksoi se në këngët e popullit përfshihet gjithmonë kategoria e më të shquarve dhe kënga popullore për Sali Vranishtin mbetet një monument i pavdekësisë.
Akademiku Shaban Sinani u shpreh se ky është një libër polifonik që ka ritestuar mendimin shqiptar për këtë figurë në një periudhë kur shumë vlera dhe trashëgimi, jo në mënyrë objektive, por për shkaqe të tjera herë pas here janë vënë në pikëpyetje.



