22.8 C
Skopje
Wednesday, September 17, 2025

Prokurorime skandaloze dhe të paligjshme në MPJ gjatë mandatit të Bujar Osmanit

Shkup, 17 shtator – Sot para jush prezantojmë marrëveshjen për marrjen me qira të automjeteve për nevojat e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë organizimit të Këshillit Ministror të OSBE-së, mbajtur në dhjetor 2023.

Ky dokument është dëshmi e pakontestueshme e mënyrës korruptive se si ka vepruar ish-ministri Bujar Osmani.

Kontrata është nënshkruar në shumën 56.640.000 denarë për vetëm dy ditë aktivitet, pa mekanizma kontrolli dhe pa asnjë vërtetim për numrin real të automjeteve të angazhuara.
Aty shihen qartë çmimet astronomike që ka paguar shteti:
Automjet VIP: 29.000 denarë në ditë (pa TVSH)
Automjet i klasës së mesme: 23.000 denarë në ditë (pa TVSH)
Minivan 8+1: 19.200 denarë në ditë (pa TVSH)

Vetëm një muaj më herët, i njëjti operator kishte lidhur kontratë me MPJ për nevoja të rregullta, me çmim prej vetëm 9.500 denarë për të njëjtin tip automjeti me shofer.

Kjo do të thotë se shteti ka paguar tre herë më shtrenjtë për të njëjtat automjete, nga e njëjta kompani dhe në të njëjtën periudhë. Ky është korrupsion sistematik, nuk është gabim administrativ. Një vendim i marrë me vetëdije të plotë që ka dëmtuar buxhetin dhe qytetarët.

Nuk ka procesverbal ose dëshmi sa automjete janë përdorur realisht. Nuk ka kontroll të brendshëm, as verifikim zyrtar të realizimit. Nuk ka transparencë në kriteret dhe në përzgjedhjen e operatorit. Ky është model klasik i derdhjes së parave publike në xhepa privatë.

Ky ishte stili i punës së Bujar Osmanit si Ministër i Jashtëm.

Këto nuk janë akuza të VLEN-it, por konstatime të Entit shtetëror të revizionit.

Prandaj, e pyesim publikisht Bujar Osmanin: Kush e ka vërtetuar numrin e automjeteve dhe realizimin e kontratës? Pse çmimet kanë qenë trefish më të larta për të njëjtat shërbime dhe nga i njëjti operator? Kush ka përfituar nga kjo skemë?Pse nuk ka ekzistuar komision për pranimin e shërbimeve?

Nëse nuk ka përgjigje logjike dhe të mjaftueshme, ne kërkojmë hapjen e hetim për të gjitha personat e përfshirë në këtë kontratë. Njëkohësisht kërkojmë që Enti shtetëror i revizionit të bëjë verifikim të plotë të të gjitha prokurimeve në MPJ gjatë mandatit të Bujar Osmanit.

Bujar Osmani ka detyrim para qytetarëve. Kjo kontratë është nënshkruar në mandatin dhe me firmën e tij, duke miratuar çmime astronomike. Ai nuk mund të fshihet pas nëpunësve dhe procedurave. I bëjmë thirrje mediave, organizatave qytetare dhe gjithë qytetarëve të shikojnë me kujdes këtë kontratë, kjo është fytyra e vërtetë e korrupsionit politik.

Ky model i veprimit duhet të marrë fund.

VLEN do të vazhdojë të zbulojë të vërtetën dhe të luftojë për një qeverisje të ndershme, të përgjegjshme dhe transparente në menaxhimin e parave të qytetarëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit