23.8 C
Skopje
Wednesday, September 17, 2025

Prokuroria Publike: Peshevska të dënohet sipas ligjit

Prokuroria kërkon që mjekja në Klinikën e Onkologjisë, Meri Peshevska, të dënohet për veprën penale “vepra të rënda kundër shëndetit të njeriut”, sepse i lejoi drejtorit të atëhershëm të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, të përdorte vulën e saj zyrtare për dhënien e terapive për pacientët. Peshevska më parë pranoi fajin dhe procedurat kundër saj po zhvillohen veçmas, megjithatë, pavarësisht se prokurorja tha se veprimi i Peshevskës është për ta përshëndetur, në fjalën e saj përfundimtare ajo përsëri i kërkoi gjykatës të shpallë aktvendim gjykimi

“Ekzistojnë rrethana rënduese, këto janë pasojat që çuan në dëmtimin e shëndetit të shtatë pacientëve. Si onkologe, ajo kishte detyrim të shtuar kujdesi, si dhe faktin se qasja dhe përdorimi i paautorizuar i vulës katrore ka ndodhur vazhdimisht. Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe pranimin e fajit, prokuroria propozon që Gjykata ta shpallë fajtore dhe ta ndëshkojë në pajtim me ligjin”, tha Ana Gogovska Jakimovska- prokurore.

Për veprën me të cilën ngarkohet ajo, parashihet dënim maksimal prej tre vite burg. Mbrojtja e Peshevskës, megjithatë, i kërkoi gjykatës të shqyrtonte të gjithë pamjen, duke përmendur, siç tha avokati i saj, karrierën e pastër të Peshevskës si onkologe për më shumë se 20 vjet. Ai pretendon se gabimi i Peshevskës ishte i vogël.

“Qëndrimi ynë është se ky gabim i vogël, domethënë, nuk kishte për qëllim të dëmtonte askënd, por ka hyrë në praktikë në punën e Onkologjisë, dhe gjithashtu në klinika të tjera, ku mjekët kanë besim, para së gjithash, midis tyre dhe kolegëve dhe nuk mund të ketë dyshime, as ajo dhe as të tjerët, se dikush do të keqpërdorte të dhëna të tilla personale dhe do të përshkruante terapi të papërshtatshme”, u shpreh Vllatko Kitanovski, avokat i të akuzuarës Meri Peshevska.

Vendimi për Peshevskën do të shpallet të hënën, më 22 shtator. Vasev dhe dy të akuzuarit në rastin “Onkologjia”, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, punonjës të Klinikës së Onkologjisë në Shkup, e mohuan fajësinë në seancën e mëparshme. Aktakuza i ngarkon mjekët për vazhdimin e veprave të rënda kundër shëndetit të njeriut dhe trajtim jopërkatës, me ç’rast 29 pacientë janë trajtuar me terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit