16.8 C
Skopje
Sunday, October 5, 2025

Prokuroria nëpërmjet komisionit të posaçëm po e ndjekë procesin zgjedhor nëse eventualisht kryhen vepra të dënueshme me burg

Që nga shpallja e zgjedhjeve, Prokuroria Themelore Publike nëpërmjet një komisioni të posaçëm është duke e vëzhguar procesin zgjedhor, nëse eventualisht paraqiten raste të keqpërdorimeve. Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Bajrami thekson për Alsat se ka trend të zvogëlimit të kryerjeve të veprave penale të kësaj natyre. Në zgjedhjet e kaluara janë evidentuar tetë raste, megjithatë për shkak të mungesës së provave, shumica e tyre janë hedhur poshtë nga organi i akuzës.

“Çdo cikël zgjedhor që vjen, numri i veprave të cilat kryhen gjatë procesit zgjedhor zvogëlohet. Për zgjedhjet e fundit që ishin parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024, ka pasur disa paraqitje, por kryesisht kanë rezultuar me vendim të prokurorit kompetent për hedhje të kallëzimeve penale sepse nuk kanë mundur të sigurohen prova për procesuimin e mëtutjeshëm”, tha Xhelal Bajrami, prokuror.

Prokurori Bajrami, sqaron se ata kanë bashkëpunim edhe me Policinë dhe organe tjera të shtetit, megjithatë për shkak të karakterit, është e vështirë të sigurohen prova për këto vepra penale.

“Është pak problem të sigurohen prova sepse ju e dini se kryesisht veprat të cilat paraqiten janë cenimi i fshehtësisë së votimit, ryshfet gjatë zgjedhjeve, cenimi i të drejtës së votimit e kështu me radhë. Mirëpo, vështirë e ka edhe Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht të siguron prova, vështirë e kemi edhe ne sepse në të shumtën e rasteve rezulton që të mos përmbajnë fakte të cilat pretendohen nga paraqitësit”, tha Xhelal Bajrami, prokuror.

Për veprat penale lidhur me procesin zgjedhor, në Kodin Penal është i veçuar një kapitull në të cilin janë të përfshira veprimet e ndaluara. Për mashtrim zgjedhor, parashihet dënim me burg prej 5 vjet, ndërsa dënime prej 3 deri në 5 vjet burg, gjithashtu parashihen edhe për veprat penale pengim të zgjedhjeve dhe votimit, shkelje të lirisë së votimit, shkelje e fshehtësisë së votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor, por edhe shpërdorim të fondeve të fushatës zgjedhore. Dënime deri në 3 vjet burg parashihet për veprat pengim apo shkelje të të drejtës së votës, ndërsa prej 1 deri në 5 vjet burg për ryshfet gjatë zgjedhjeve ose votimit./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit