Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave të cilët dyshohet se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale – “përvetësim në detyrë zyrtare”. Nga Prokuroria gjithashtu thonë se për katër persona të tjerë ka filluar procedimi penal për veprën “shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
“Me kallëzim penal të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë Financiare, janë ndërmarrë disa veprime dhe nga provat e grumbulluara dyshohet se dy bashkëkryerësit, si persona përgjegjës në SHA Shoqërinë aksionare për lojërat e fatit “Lotaria Shtetërore” e RMV-së gjatë vitit 2023, nëpërmjet ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të veçanta, kanë marrë pjesë bashkërisht në veprimet e dëmtimit të shoqërisë aksionare me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, i cili nga buxheti i shoqërisë aksionare llogaritet në shumë të konsiderueshme prej 501.319.119 denarë (mbi 8 milionë euro).
“I dyshuari i parë, kryetar i Bordit Drejtues – Drejtor i Përgjithshëm i “Lotarisë Shtetërore” më datë 09.05.2023 i ka dorëzuar në mënyrë elektronike Qeverisë së RMV-së në cilësinë e Kuvendit të aksionarëve të Shoqërisë lidhur me nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave të fatit online, me çka propozoi zbatimin e një procedure për prokurimin e terminaleve VLT. Vlera e përllogaritur e një blerjeje të tillë ishte 42% e vlerës së kompanisë e përcaktuar nga raportet e fundit financiare, domethënë është një shumë e madhe për të cilën, sipas ligjit, ka procedurë për miratim nga Bordi Drejtues dhe Mbikëqyrës i “Lotarisë Shtetërore” është parashikuar, dhe jo nga Kuvendi i aksionarëve. Propozimi është dhënë edhe pse i dyshuari e dinte se blerja ishte e kotë dhe e panevojshme, sepse SH.A. “Lotaria Shtetërore” sipas Ligjit për Lojërat e Fatit, nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit në territorin e vendit, sepse që në vitin 2013, atë të drejtë e ka Video Lotaria Shtetërore – “Casinos Austria” ShPK Shkup”.
“I dyshuari i dytë, edhe pse e dinte se kërkesa për prokurimin konkret publik ishte e paligjshme dhe se “Lotaria Shtetërore” nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit në territorin e vendit, më datë 06.06.2023, si zëvendëskryeministër, ai ka udhëhequr një seancë të Qeverisë në cilësinë e Kuvendit të shoqërisë aksionare përkundër faktit se ka qenë në dijeni se mbledhja aksionare nuk ka kompetencë të vendosë për marrëveshjen konkrete”.
“Në sencën e qeverisë u miratua informacioni dhe u ngarkua “Lotaria Shtetërore” që të ndërmerrte aktivitetet për fillimin e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe marrjen e terminaleve të nevojshme të videollotarisë. Më pas i dyshuari i parë ka marrë vendimet e nevojshme, janë kryer prokurimet publike dhe janë lidhur kontrata me të cilat është marrë obligim në vlerë të përgjithshme prej 501.319.119 denarë për blerjen e terminaleve për video lotari. Pavarësisht blerjes, ato aparate nuk janë vënë në përdorim”.