14.8 C
Skopje
Tuesday, October 21, 2025

Prokuroria heton situatën alarmante me mbeturinat në Shkup

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur veprime për sigurimin e provave lidhur me një vepër të mundshme penale që lidhet me situatën e mbeturinave në kryeqytet.

Sipas njoftimit të këtij institucioni, prokurori publik ka lëshuar urdhra ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve të tjera kompetente për të ndërmarrë kontrolle dhe inspektime urgjente në NP “Higjiena Komunale”.

Gjithashtu, janë dërguar kërkesa deri tek shërbimet inspektuese komunale për të kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme dhe për të përcaktuar gjendjen aktuale në terren.

Ndërkohë, Qeveria ka obliguar MPB-në që, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Komunal, Inspektoratin e Mjedisit Jetësor, Inspektoratin Sanitar dhe Institutin e Shëndetit Publik, të realizojë një inspektim të jashtëzakonshëm në Qytetin e Shkupit dhe në ndërmarrjen “Higjiena Komunale”. Qëllimi është vlerësimi i gjendjes me mbeturinat dhe ndërmarrja e masave të nevojshme.

“Situata është alarmante dhe megjithëse përgjegjësia i takon Qytetit të Shkupit, për shkak të mosveprimit të vazhdueshëm u bëjmë thirrje institucioneve që të veprojnë menjëherë, në përputhje me konkluzionet e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e shërbimit për informim të Qeverisë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit