Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale – Vrasje sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 1 të Kodit Penal.
Në një datë të saktë të papërcaktuar, në periudhën nga 27.01 deri më 12.02.2026, i dyshuari 25-vjeçar, në fshatin Çellopek, komuna e Staro Nagoriçanit, me paramendim dhe në mënyrë mizore e tinëzare, i ka marrë jetën viktimës, një gruaje të lindur në vitin 1947.
Ai ka shfrytëzuar rrethanën që e dëmtuara jetonte e vetme, ishte e moshuar dhe e pafuqishme. Kur ka hyrë në shtëpinë e saj, ajo ishte duke fjetur në shtrat, ndërsa i dyshuari e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar disa goditje me të cilat i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, si pasojë e të cilave gruaja ka ndërruar jetë.
Me veprime intensive dhe të koordinuara gjatë ditëve të fundit nga Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë dhe qendra hetimore pranë kësaj prokurorie, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë siguruar prova që tregojnë lidhje të këtij rasti me disa raste të tjera të ngjashme në rajonin e Kumanovës.
Për shkak të ngjashmërive lidhur me përzgjedhjen e viktimave dhe mënyrën e egër të kryerjes së veprës, po hetohet nëse edhe në ato raste bëhet fjalë për vrasje të kryera nga i njëjti autor. Për një nga viktimat e mundshme dje është urdhëruar zhvarrimi dhe autopsia, ndërsa nga trupi i gruas së ndjerë janë marrë gjurmë dhe mostra të ADN-së që po i nënshtrohen ekspertizës.
Organet hetimore po punojnë në ekspertiza dhe analiza të ndërlikuara, si dhe në veprime të tjera për sigurimin e provave, të cilat për momentin nuk mund të ndahen me publikun për shkak të fshehtësisë së procedurës.
I dyshuari, që nga momenti i zbulimit të tij, është privuar menjëherë nga liria dhe është siguruar, ndërsa me propozim të prokurorit publik i është caktuar masa e paraburgimit. Është urdhëruar gjithashtu edhe ekspertizë psikiatrike e të dyshuarit nga një ekip ekspertësh – psikiatër forenzikë nga Instituti i Psikiatrisë në Shkup.



