Prokuroria e Hagës kërkon nga 45 vite burg për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Jakup Krasniqin

Nga 45 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Kjo është kërkesa e Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Kryeprokurorja Kimberly West pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ajo tha se nuk kërkojnë dënim për shtabin e përgjithshëm por për persona konkret.

“Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të rënda në natyrë dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të mbetën ende shumë të rënda”, tha Kimberly West, Kryeprokurore e Prokurorisë Speciale.

Në fjalën e saj, prokurorja pretendon se të akuzuarit kanë vrarë mbi 100 persona dhe kanë abuzuar me qindra të tjerë.

“Të gjitha i kanë bërë në përpjekje për të ndihmuar për krijimin e një historiku të besueshëm dhe të ndershëm të ngjarjeve nga 1998-1999, ku mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në dhe përreth 50+ kampe ndalimi të UÇK-së”, u shpreh Kimberly West, Kryeprokurore e Prokurorisë Speciale.

Prokurori i specializuar, Alan Tieger tha se shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë e Kosovën, por që pranoi se sulmi ndaj Jasharëve nxiti zgjerimin e luftës.

“Fillimi i marsit njihet fatkeqësisht edhe nga sulmi që i ndodhi familjes së Jasharëve dhe vrasjes së Adem Jasharit dhe familjes së tij, një ngjarje që nxiti atë për të cilat pajtohen të gjitha palët, fillimin e zgjerimit eksploziv të UÇK-së nga origjina e vet guerile”, deklaroi Alan Tieger, Prokuror.

Dy javët në vazhdim prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit