Ankaraja ka qenë kritike ndaj shtypjes që Pekini i bëri minoritetit kryesisht mysliman të ujgurëve. Turqia u ka ofruar strehim shumë ujgurëve. Analistët thonë se disidentët ujgurë kanë frikë që investimi kinez prej miliarda dollarësh në Turqi mund të ketë qenë pjesë e një marrëveshjeje që është arritur gjatë vizitës së realizuar së fundmi të ministrit të jashtëm turk Hakan Fidan në Kinë.
“Ka spekulime se pala kineze po bën trysni për ratifikimin e marrëveshjes për ekstradim duke kërkuar që ujgurët e strehuar në Turqi, të paktën disa prej tyre, të kthehen për tu përballur me gjyqe në Kinë”, thotë Cagdas Ungor nga Universiteti i Marmarës.
Të tjerë thonë se ndryshimi i politikave të Kinës ndaj Turqisë, vend anëtar i NATO-s, mund të jetë pjesë e një gare në rritje, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, për ndikim global.
Analistët thonë se Ankaraja dhe Pekini po gjejnë gjithashtu gjuhë të përbashkët diplomatike, duke përfshirë edhe kritikat ndaj luftës së Izraelit kundër Hamasit.
“Nëse e shikoni çështjen e Gazës momentalisht, Turqia dhe Kina kanë qëndrim të ngjashëm. Politikat e tyre të jashtme janë të ngjashme duke qenë shumë më ndryshe se ato të vendeve të perëndimit. Edhe në nivelin rajonal, Kina duket të jetë një partner shumë më i mirë se sa vendet e perëndimit”, thotë analisti Cagdas Ungor.
Ankaraja e përshëndeti pritjen që Pekini iu bëri udhëheqësve palestinezë gjatë muajit korrik. Lufta e Izraelit ka rrezik të përshkallëzohet dhe analistët thonë se kjo mund ta afrojë edhe më shumë Kinën me Turqinë./VOA