Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për të siguruar transportin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare më 17 tetor në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së që po gjykohen në Hagë.
Ai ka thënë se veteranët tanë nuk janë pjesë vetëm e së kaluarës por janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, do të mbetet shembull i respektit institucional, i kulturës politike dhe i mirënjohjes publike.
“Me nderim të thellë për të gjithë veteranët, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që e mbajnë ende gjallë kujtesën e lirisë sonë, shihemi në Tiranë. Ju takon respekti i një kombi të tërë ”, ka shkruar Rama.