Presidentja Siljanovska-Davkova do të marrë pjesë në Samitin botëror të qeverive në Dubai

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nga sot ndodhet për vizitë pune në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin botëror të qeverive.

Siç informojnë nga kabineti i saj, presidentja do të jetë folësja kryesore në sesionin kushtuar ndryshimeve demografike. Ajo do të flasë për perspektivën e vendit mbi ndryshimet demografike dhe implikimet e tyre për zhvillimin kombëtar.

“Siljanovska-Davkova do të marrë pjesë në Forumin global mbi rregulloret qeveritare dhe drejtësinë, si dhe në Samitin botëror të laureatëve i cili mbahet për herë të parë në prag të Samitit botëror të qeverive me përfshirjen e fituesve të Çmimit Nobel dhe shkencëtarëve kryesorë në debatet për hartimin e politikave. Janë paraparë takime dypalëshe të Siljanovska-Davkovës me pjesëmarrësit në samit. Temë qendrore e ngjarjes është ‘Formësimi i qeverive të së ardhmes’”, theksohet në komunikatën e kabinetit të Siljanovska-Davkovës.

Samiti botëror i qeverive është forum global që bashkon shefat e shteteve dhe qeverive, organizatat ndërkombëtare, ekspertët, përfaqësuesit e sektorit privat dhe politikëbërës të tjerë për të promovuar bashkëpunimin global, inovacionin dhe zgjidhjet për sfidat e ardhshme globale. Samiti shqyrton trendet më të fundit dhe praktikat më të mira në qeverisje, teknologji, zhvillim të qëndrueshëm dhe fusha të tjera kyçe për përmirësimin e jetës së njerëzve në të gjithë botën.

Në edicionin e këtij viti të samitit pritet të marrin pjesë mbi 35 krerë shtetesh dhe qeverish, më shumë se 150 delegacione qeveritare dhe rreth 6.000 pjesëmarrës.

Gjatë vizitës së punës në EAB, presidentja Siljanovska-Davkova do të shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit