Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren, për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për kontributin e TİKA-s gjatë më shumë se dy dekadave në Kosovë, duke theksuar ndikimin e projekteve të kësaj agjencie në infrastrukturën kulturore, arsimore dhe shëndetësore, përfshirë edhe ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë.

Ajo e vlerësoi Turqinë si partner strategjik dhe mike të Kosovës, duke theksuar që miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore pas luftës, si dhe për restaurimin e objekteve historike, të cilat kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit.

Në përmbyllje, ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes për fëmijët me nevoja të veçanta, grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje, duke shprehur dëshirën për një bashkëpunim të frytshëm dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët./KultPlus.com





