Presidenca e Kosovës ka mohuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka ofruar mbështetje presidentes Vjosa Osmani për të kandiduar për një mandat të dytë, duke i siguruar edhe nënshkrimet e nevojshme për garë.
Shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, e quajti “gënjeshtër” deklaratën e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila kishte thënë se partia e saj ia kishte ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme, por ajo kishte refuzuar mundësinë.
“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si presidente e Kosovës,” shkroi Hollaj në Facebook.
Nga ana tjetër, Nagavci tha se LVV-ja ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të ofruar mbështetje dy kandidatëve, dhe se partia është e gatshme t’i japë nënshkrimet edhe subjekteve të tjera parlamentare për të siguruar garën. Ajo theksoi se kjo bëhet për të shmangur situata të ngjashme me vitin 2025, kur Kuvendi kishte shkuar në zgjedhje të përsëritura.



