Më 17 dhjetor, në Teatrin e Tetovës, do të jepet premiera e shfaqjes “Dramë për të qeshë”, një komedi e re që vjen me autor dhe regjisor Sulë Rushiti-Korbi. Kjo vepër teatrore sjell një qasje origjinale ndaj humorit, duke përdorur situata të përditshme, karaktere të veçanta dhe dialogë të mprehtë që prekin realitetin tonë shoqëror, por gjithmonë me një dozë të shëndetshme të ironisë dhe të qeshurës, shkruan Portalb.mk.
Publiku do të ketë mundësi të ndjekë një histori dinamike, të ndërthurur me momente të papritura, ku aktorët përmes lojës së tyre sjellin në skenë energji, ritëm dhe një atmosferë që premton argëtim të pastër.
Regjisori Sulë Rushiti Korbi, i njohur për stilin e tij të veçantë dhe qasjen kreative ndaj komedisë, me këtë premierë synon t’i japë publikut një përvojë të paharrueshme teatrore, duke e çuar humorin në një nivel të ri artistik.
“Dramë për të qesh” është një shfaqje që, përmes ngjarjeve brenda një teatri ku duhet të ringjallen personazhet e Shekspirit përmes një adaptimi postmodern, na zbërthen dramën e aktorëve, punonjësve të teatrit, spektatorëve dhe pushtetarëve, një mozaik njerëzor që jeton paralelisht me shfaqjen që pret të luhet.
“Në skenë defilon një paletë e larmishme karakteresh, të cilët përplasen me një varg të papriturash që lindin të tjera të papritura, duke krijuar situata komike, absurde, por thellësisht njerëzore. Në këtë lojë të dendur tensioni e humori, shpërfaqen klishetë ndaj artistëve, përplasjet mes egove, marrëdhëniet e brishta me pushtetin dhe lufta e përhershme për hapësirë e ndikim.
Shfaqja pasqyron shoqërinë tonë përmes një kohe skenike që rrjedh saktësisht njësoj si koha reale, ku personazhet e botës së përditshme ndërhyjnë në botën e fikcionit, duke shkrirë kufijtë mes asaj që jetojmë dhe asaj që interpretojmë”, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Teatrit të Tetovës.
Në shfaqje luajnë aktorët: Arsim Kaleci, She Ilazi, Petrit Neziri, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Elmir Sejfullai, Sami Mustafa, Abdulla Osmani Bekim Jahiu, Linda Shabani dhe Hasim Memishi Sopi.
Ky projekt është mbështetur nga Komuna e Tetovës.






